Elon Musk konfirmon plane të reja me pagesë për rrjetin social X

Njëri do të jetë më i kushtueshëm dhe do të heqë të gjitha reklamat. Aktualisht me planin e vetëm me pagesë, X premton se përdoruesit do të shohin vetëm gjysmën e reklamave.

Elon Musk tha se X (ish-rrjeti social Twitter) së shpejti do të ketë dy plane të tjera me pagesë duke konfirmuar raportimet e mëhershme.

Pronari i platformës tha se një prej tyre do të kushtojë më pak sesa plani ekzistues prej 8 dollarësh në muaj por nuk do të reduktojë numrin e reklamave që shihni.

Njëri do të jetë më i kushtueshëm dhe do të heqë të gjitha reklamat. Aktualisht me planin e vetëm me pagesë, X premton se përdoruesit do të shohin vetëm gjysmën e reklamave.

Musk nuk përmendi çmimet e planeve të reja. Në fillim të muajit Bloomberg raportoi se kompania po testonte disa plane të reja me pagesë për të sjellë më shumë të ardhura.

Ekzekutivi i Tesla dhe ekipi i tij po përpiqen të shtojnë të ardhurat e X. Në fillim të javës kompania filloi të testonte planin 1 dollarë në vit për përdoruesit në Zelandën e Re dhe Filipine për të pasur funksione bazike si postimi, pëlqimi dhe ripostimi.

Sipas rrjetit social kjo lëvizje erdhi për të reduktuar numrin e llogarive robotike në platformë dhe jo si përfitim. Por në fillim të këtij muaji, Reuters raportoi se që kur Musk ka marrë drejtimin e X, të ardhurat kanë rënë në mënyrë të vazhdueshme.