Emiri i Katarit nuk pranon ftesën e Trump për takim në Shtëpinë e Bardhë

Ministri i Punëve të Jashtme të Katarit, Sheik Muhamed bin Abdurrahman al-Thani i tha agjencisë së lajmeve “Associated Press” (AP) se al-Thani nuk do të largohet nga vendi përderisa sanksionet vazhdojnë ende, kështu që ai nuk do të shkojë në Shtëpinë e Bardhë.

“Nuk do të largohet nga Katari ndërkohë që vendi ndodhet nën bllokadë”, tha al-Thani për Emirin e Katarit.

Të mërkurën Donald Trump kishte realizuar një bisedë telefonike me Emirin e Katarit, al-Thani dhe i kishte ofruar rolin e ndërmjetësuesit në krizën e Katarit duke e ftuar atë për vizitë në Shtëpinë e Bardhë.

Në deklaratën e tij për agjencinë e lajmeve “AP”, ministri i Jashtëm i Katarit gjithashtu vuri në dukje se vendet arabe nuk kanë të drejtë ti vendosin “bllokadë” Katarit. Arabia Saudite dhe disa vende të tjera arabe po përpiqen të izolojnë Katarin duke u nisur nga “lajme të rreme dhe të fabrikuara”, shtoi ai.

Al-Thani hodhi poshtë pretendimet se vendi i tij siguron mbështetje financiare për grupet ekstremiste dhe kundërshtoi idenë e mbylljes së televizionit “Al Jazeera”.

Edhe pse vendet fqinje i kanë shpallur këto grupe si të paligjshme, Katari, si një vend i pavarur që është ka të drejtë të mbështesë grupe të tilla si “Vëllazëria Myslimane”, theksoi al-Thani dhe shtoi:

“Nëse dikush ka ndërmend të ndërhyjë në punët e mia apo mendon të më imponojë diçka që ka të bëjë me çështjet e mia të brendshme, ta dijë se kjo nuk do të ndodhë. Askush nuk u dha atyre të drejtën ti vendosin bllokadë vendit tim, të ndalojnë mjetet apo fluturimet e mia të realizohen përmes hapësirës së tyre apo të pengojnë parkimin e anijeve të mia në portet e tyre. Askush nuk ua jep atyre të drejtën të ndajnë familjet dhe të dëbojnë njerëzit. Askush nuk u ka dhënë atyre të drejtën të ndajnë nënat katarase nga fëmijët saudit, apo të ndajnë fëmijët kataras nga nënat e tyre nga Emirati. Nuk e di se në çfarë shekulli jetojmë. A po jetojmë me të vërtetë në shekullin e 21-të?”

Ministri i Punëve të Jashtme të Katarit gjithashtu theksoi se vendi i tij nuk mbështet ekstremistët dhe grupet terroriste, ndërsa sqaroi se deri më tani nuk kanë marrë ndonjë listë me kërkesa nga vendet që kanë ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Katarin.

“Ne jemi gati të përgjigjemi nëse ka një pretendim apo akuzë të arsyeshme, por nuk jemi plotësisht të përgatitur për t’iu përgjigjur të gjitha këtyre akuzave të dyshimta që nuk kanë një provë konkrete”, nënvizoi al-Thani.

Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Bahrejni, Egjipti dhe Jemeni njoftuan të hënën se kishin ndërprerë të gjitha lidhjet diplomatike me Katarin. Arabia Saudite, EBA dhe Bahrejnin kanë mbyllur hapësirën ajrore të vendit të tyre për Katarin dhe u kërkuan diplomatëve të Katarit të largohen brenda 48 orëve