Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Qendrat e të dhënave po zhvendosen në fund të detit, por ka...

Qendrat e të dhënave po zhvendosen në fund të detit, por ka një problem…

Teknologjia premton kursim, por ngre pikëpyetje mjedisore

Rritja e kërkesës për inteligjencë artificiale po shtyn kompanitë teknologjike të kërkojnë zgjidhje të reja për ndërtimin dhe funksionimin e qendrave të të dhënave.

Një prej tyre është zhvendosja e serverëve në fund të detit, ku temperatura e qëndrueshme e ujit mund të ulë ndjeshëm kostot e ftohjes dhe konsumin e ujit të ëmbël.

Pas eksperimenteve të Microsoft, Kina ka kaluar në ndërtimin e qendrave të para komerciale nënujorë. Megjithatë, mirëmbajtja e vështirë dhe ndikimi i mundshëm në ekosistemet detare mbeten pengesa serioze për përhapjen e kësaj teknologjie.

Si funksionojnë qendrat e të dhënave nënujore?

Në korrik 2020, në brigjet e Ishujve Orkney, pranë Skocisë, një anije nxori nga fundi i Detit të Veriut një cilindër çeliku që kishte qëndruar atje për dy vjet.

Brenda tij ndodheshin 12 rafte me gjithsej 864 serverë, pjesë e eksperimentit Natick të kompanisë Microsoft. Projekti dëshmoi se një qendër të dhënash mund të funksionojë për më shumë se dy vjet pa ndërhyrje njerëzore.

Nga krahasimi i 855 serverëve të zhytur në det me 135 serverë të vendosur në tokë, u regjistruan përkatësisht gjashtë dhe tetë defekte.

Sipas studiuesve, mjedisi i qëndrueshëm, mungesa e pluhurit dhe dridhjeve, si dhe eliminimi i ndërhyrjeve njerëzore, kontribuuan në besueshmërinë më të lartë të pajisjeve.

Moduli ishte mbushur me azot të thatë, pa oksigjen dhe lagështi, duke kufizuar rrezikun e korrozionit dhe oksidimit të qarqeve elektronike.

Megjithatë, Microsoft nuk e shndërroi eksperimentin në një shërbim komercial. Në vitin 2024, drejtuesja e operacioneve cloud të kompanisë, Noelle Walsh, konfirmoi se projekti kishte funksionuar dhe kishte ofruar mësime të vlefshme.

Por kompania nuk njoftoi plane për impiante të tjera. Një nga problemet kryesore është mirëmbajtja. Në një modul të mbyllur hermetikisht nuk mund të ndërrohet një disk apo të riparohet një server.

Për çdo ndërhyrje, e gjithë struktura duhet të nxirret në sipërfaqe, proces që kërkon kohë dhe kosto të konsiderueshme. Kjo është veçanërisht problematike për qendrat që mbështesin inteligjencën artificiale, ku pajisjet dhe procesorët përditësohen vazhdimisht.

Kina kalon nga eksperimenti te përdorimi komercial

Eksperimenti i Microsoft nxiti interesin e Kinës. Në mars 2023, pranë ishullit Hainan, nisi funksionimin qendra e parë komerciale e të dhënave nënujore. Në shkurt 2025, asaj iu shtua një modul i ri me kapacitet për më shumë se 400 serverë me performancë të lartë.

Sipas agjencisë Xinhua, rreth dhjetë kompani kishin shprehur interes për përdorimin e saj në aplikacione të inteligjencës artificiale dhe simulime industriale.

Një projekt tjetër u zhvillua në Shangai, në zonën Lingang, ku impianti nisi punën në maj 2026. Ai ndodhet rreth dhjetë kilometra larg bregdetit dhe ka një kapacitet të planifikuar prej 24 megavatësh.

Faza e parë eksperimentale ka një kapacitet prej 2,3 megavatësh. Veçoria e tij është se furnizohet drejtpërdrejt nga një park eolik në det të hapur.

Sipas autoriteteve kineze, më shumë se 95 për qind e energjisë vjen nga burime të rinovueshme, ndërsa konsumi është 22,8 për qind më i ulët se ai i një qendre të krahasueshme në tokë. Këto janë të dhëna të operatorëve dhe ende nuk janë konfirmuar nga krahasime të pavarura.

Ftohje më e lirë, por jo pa kosto

Avantazhi kryesor i vendosjes së serverëve nën ujë lidhet me ftohjen. Procesorët shndërrojnë një pjesë të konsiderueshme të energjisë elektrike që konsumojnë në nxehtësi.

Në qendrat tradicionale përdoren ventilatorë, ujë i ftohtë dhe sisteme të posaçme ftohjeje, të cilat mund të konsumojnë 25-40 për qind të energjisë elektrike.

Në fund të detit, nxehtësia largohet përmes shkëmbyesve termikë, të cilët transferojnë energjinë termike te uji i detit pa e vënë atë në kontakt me pajisjet elektronike.

Kështu reduktohet përdorimi i ujit të ëmbël dhe shfrytëzohet temperatura relativisht e qëndrueshme e mjedisit detar. Megjithatë, ftohja nuk është falas. Nevojiten pompa, shkëmbyes termikë dhe sisteme që shpërndajnë nxehtësinë pa dëmtuar ekosistemet përreth.

Paralelisht po zhvillohen edhe projekte që synojnë të shfrytëzojnë energjinë e dallgëve. Kompania amerikane Panthalassa po eksperimenton me struktura të mëdha lundruese prej çeliku, të cilat prodhojnë energji nga lëvizja e valëve për të furnizuar sistemet e inteligjencës artificiale.

Edhe kompania skoceze Mocean Energy po zhvillon pajisje që kombinojnë energjinë e dallgëve me atë diellore. Megjithatë, këto projekte janë ende në fazë eksperimentale.

Mirëmbajtja dhe ndikimi në mjedis, sfidat kryesore

Kripa, presioni dhe organizmat detarë mund të dëmtojnë mbështjellëset e kabllove, të bllokojnë filtrat dhe të vështirësojnë funksionimin e shkëmbyesve termikë.

Për më tepër, defektet nuk mund të riparohen drejtpërdrejt në vend. Kjo kërkon pajisje rezervë dhe nxjerrjen e moduleve në sipërfaqe për zëvendësimin e komponentëve.

Një shqetësim tjetër lidhet me ndikimin ekologjik. Uji që përdoret për ftohje rikthehet në det me temperaturë më të lartë, duke krijuar zona lokale ngrohjeje që mund të ndikojnë te organizmat detarë.

Projekti i Shangait, sipas një investigimi të Dialogue Earth, parashikon shkarkimin e 150 litrave ujë në sekondë, deri në pesë gradë më të ngrohtë se uji i marrë nga deti.

Shqetësimet rriten me zgjerimin e impianteve. Në SHBA, kompania DeepGreen ka kërkuar leje paraprake për të studiuar qendra të të dhënave nënujore të furnizuara nga energjia e baticave në Gjirin e Maine dhe në Alaskë.

Por këto zona janë habitate të rëndësishme për balenat e djathta të Atlantikut të Veriut dhe belugat, specie të rrezikuara. Zhurma e turbinave, instalimet dhe trafiku detar mund të shqetësojnë këta gjitarë. /tesheshi