Ende ka nxënës në Prishtinë pa tekste shkollore

Mësimi ka filluar tash e një muaj por mungesa e librave dhe subvencionimi i prindërve, ende nuk është përmbushur në Komunën e Prishtinës, derisa janë 325 prindër që kanë aplikuar për subvencionimin me nga 70 euro si lehtësim për regjistrimin e fëmijëve në çerdhet private.

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati, ka treguar se furnizimi me libra këtë vit ka qenë shumë i dobët, derisa thekson se ende ka nxënës të cilët po mbajnë mësim pa libra.

“Fatkeqësisht edhe ky vit shkollor filloi me një dramë tjetër, kësaj radhe nuk kishim të bëjmë me grevën, por me mungesën e teksteve shkollore. Filloj me vonesa të ndryshme sa i përket furnizimit me libra të klasave një deri pesë dhe të gjashtë deri nëntë. Ishte një fatkeqësi e madhe sepse humbëm shumë orë mësimore për shkak të furnizimit me librave. Subvencionimi i prindërve nuk ndodhi në kohë reale dhe rrjedhimisht blerja e librave u vonua shumë, ka raste ende nuk janë blerë libra dhe furnizimi me libra ka qenë shumë i dobët”, tha Musmurati.

Musmurati të nevojshme e cilësoi edhe renovimet e shkollave në Prishtinë.

“Renovimi ka qenë shumë i nevojshëm, ne kemi filluar renovimin në kohë në të gjitha shkollat e Prishtinës, mësimi është shtyrë për shkak të grevës, prandaj edhe shkollat janë mbyllur më vonë dhe koha e renovimit ka qenë më e shkurtë, renovimet në shkolla janë aq të thella sa që është e pamundur të bëhen dy muaj gjatë verës”, deklaroi Musmurati për KP.

Ajo shtoi se këtë vit siguria në shkolla ka avancuar, pasi ndryshe nga vitet e tjera, shkollat janë të pajisura me kamera dhe nevoja tjera të cilat kanë të bëjnë më sigurinë e nxënësve në shkolla.

“Ne e kemi bërë për herë të parë planin e veprimit për sigurinë në shkolla dhe i kemi buxhetu 1,6 milion euro këtë vit dhe çdo vit për sigurinë e nxënësve, kemi vendos kamera të sigurisë në shkolla, kemi bërë shenjëzimin afër shkollave, kemi ndriçimin e tërësishëm në shkolla sepse ka qenë, ka pas pika brenda shkollave që kanë qenë të pandriçuara, kanë qenë zona të rrezikut brenda dhe jashtë shkollave, kemi marrë masa të cilat kemi nis me i implementu”, shtoi Musmurati.