Ende nuk dihet se a do të miratohet buxheti për vitin 2020

Derisa të krijohet qeveria e re, punët duhet t`i kryejë qeveria në largim. Prandaj, vetëm edhe gjashtë ditë kanë mbetur që buxheti për vitin 2020 do të duhej të miratohej.

Ministria e Financave i ka kryer të gjitha ndarjet buxhetore, por këtë e ka bërë për 21 ministri. Tani, me paralajmërimet e partive fituese të zgjedhjeve, VV e LDK se qeveria e re nuk do të ketë më shumë se 12 dikastere, buxheti sërish do të duhej të rishikohej.

Qeveria në detyrë po diskuton mundësitë e mbajtjes së një mbledhjeje për ta miratuar propozim- buxhetin për vitin 2020 dhe disa vendime të tjera. RTK merr vesh se ende nuk ka vendosur për ditën se kur do të ndodhë kjo. Por, dita e fundit kur buxheti duhet të miratohet në Qeveri është 31 tetori i secilit vit kalendarik.

Në Ministri të Financave tregojnë se ndarjet buxhetore për vitin e ardhshëm janë gati. Lulëzim Rafuna, këshilltar i Ministritë të Financave, tha se top prioritetet janë përcaktuar për sundim të ligjit, për arsim e shëndetësi Një tjetër dilemë ka mbetur çështja se buxheti për vitin e ardhshëm është bërë gati për 21 ministri. Ndërsa nga fituesit e zgjedhjeve Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike, thonë se janë pajtuar që Qeveria e re nuk do të ketë më shumë se 12 ministri. Kjo i bie që buxheti duhet të ndryshohet dhe të akomodohet për Qeverinë e ardhshme.

Lulëzim Rafuna, këshilltar i Ministritë të Financave “Nuk ka shumë punë për ta ndryshuar buxhetin, sepse buxheti do të ndryshoi për ministritë, pasi komunat i kanë miratuar buxhetet komunale”, tha ai.

Nënkryetari i Vetëvendosjes, Besnik Bislimi, në një përgjigje për RTK-në thotë se nuk mund të miratohet asnjë draft i buxhetit nga kjo Qeveri meqë duhet të kalojë nëpër procedurat e rregullta parlamentare.