Erdoğan konfirmon vendosmërinë në luftën kundër terrorizmit

Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan të dielën edhe një herë theksoi vendosmërinë e Turqisë, duke shtuar se vendi i tij do t’ua kthejë Afrinin pronarëve të saj, raporton Anadolu Agency (AA).

Erdoğan foli për çështje të shumta aktuale në Kongresin e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) të mbajtur në provincën Gaziantep, në jug të Turqisë.

Ai përsëriti se Afrini do t’u kthehet pronarëve të vërtetë.

“A e bëmë këtë në ‘Mburoja e Eufratit’? A e bëmë këtë në Jarabulus? A e bëmë këtë në Raio? A e bëmë këtë në Al-Bab? Këtë do të bëjmë edhe në Afrin, në Idlib dhe në Munbixh. Kush është pronar i kësaj zone, ai do të vijë, dhe jo ata që nuk janë”, tha Erdoğan.

Ai gjithashtu rikujtoi se rreth 140 mijë sirianë u kthyen në shtëpi dhe filluan të jetojnë në territorin e liruar gjatë operacionit “Mburoja e Eufratit”.

Erdoğan theksoi se pas operacionit në Afrin, duke aluduar në operacionin “Dega e Ullirit”, i cili po zhvillohet në veriperendim të Sirisë, sirianët do të mund të kthehen në shtëpitë e tyre.

Ai gjithashtu shtoi se nuk do të heqë dorë nga luftimet deri në mposhtjen e terroristëve në Siri.

Presidenti turk e ka quajtur vrasës presidentin sirian Bashar al-Assad.

“A nuk vrau pothuajse një milion të banorëve të tij? Si e mbron bota këtë njeri? Si qëndron pranë tij?”, pyeti Erdoğan.

Ai shtoi se Turqia asnjëherë nuk ka qëndruar përkrah tiranëve.

Gjithashtu, gjatë fjalimit të tij, Erdoğan tha se në total janë neutralizuar 2.021 terroristë në operacionin “Dega e Ullirit”.

Presidenti turk ka thënë se nuk do të heqë dorë edhe në luftën kundër organizatës terroriste FETO, përgjegjës për tentimin e grusht shtetit të dështuar në Turqi në korrik të vitit 2016, gjatë të cilit 250 ranë dëshmorë ndërsa 2.200 të tjerë u plagosën.

Para Kongresit, Erdoğan tha se Turqia kishte ecur gjithmonë me aleatët e saj, nuk i ka tradhtuar, por gjithashtu nuk i ka respektuar ata që e kanë tradhtuar.