Erdoğan: Midis terroristëve të PKK, DHKP-C dhe FETO-s nuk ka dallim

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan tha se shkollat, shoqatat dhe individët pranë organizatës terroriste FETO ende janë aktive në Japoni, raporton Anadolu Agency (AA).

Erdoğan pas takimit në Kyoto të Japonisë udhëtoi për në Nagoya ku prezantoi programin e takimit me komunitetin turk.

Me këtë rast presidenti turk komentoi aktivitetet e organizatës terroriste FETO në Japoni.

“Shkolla, shoqata dhe individë pranë FETO-s ende janë aktiv në Japoni. Kjo organizatë e cila natën e 15 korrikut në mënyrë mizore vrau 251 qytetarë tanë, në mërgatë zhvillon një fushatë intensive kundër vendit tonë”, ka thënë Erdoğan.

Ai rikujtoi se kjo organizatë për 40 vite nën maskën e bamirësisë ka mbledhur mjete të cilat më vonë i përdori kundër popullit.

“Në luftën kundër kësaj organizate presim edhe mbështejen tuaj. Ajo që është PKK dhe DHKP-c, e njëjta është edhe FETO. Midis tyre nuk ka kurrfarë dallimi”, tha Erdoğan.

Ai konsideron se uniteti dhe bashkimi janë çelës të çdo suksesi.

“Përderisa veprojmë të bashkuar nuk ka pengesa që nuk mund t’i tejkalojmë. Po kështu edhe ju, siç keni vepruar deri më tani bashkarisht, ashtu edhe në të ardhmen mund të tejkaloni çdo pengesë”, thekson Erdoğan.

Presidenti Erdoğan potencoi mundësinë e hapjes së kosullatës turke në Nagoya.