Erdogan: Modeli i ri ekonomik i Turqisë, një hap më pranë pavarësisë ekonomike të vendit

Ky vlerësim i kreut të shtetit turk erdhi gjatë një transmetimi të përbashkët direkt të disa kanaleve televizive private mbrëmjen e së premtes.

Recep Tayyip Erdogani theksoi se është detyrë e qeverive të sigurojnë stabilitet ekonomik dhe financiar, të rrisin mirëqenien sociale dhe të ofrojnë shërbime publike në mënyrë efektive.

Sipas tij, hapat e fundit të Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë dhe modeli i ri ekonomik i vendit do të sjellin ulje të inflacionit duke e çuar vendin një hap më pranë pavarësisë ekonomike.

“Që nga shpallja e planit të ri ekonomik të vendit, depozitat bankare në lira turke u rritën me rreth 2,2 miliardë dollarë. Këto zhvillime treguan se të gjithë qytetarët e Turqisë duhet t’i besojnë lirës turke”, potencoi Erdogani duke folur për një masë të re të shpallur të hënën, përmes së cilës shteti do të kompensojë pronarët e depozitave bankare në lira turke për luhatjet në kursin e këmbimit valutor, një lëvizje kjo që synon t’i inkurajojë qytetarët të zgjedhin instrumentet financiare me maturim në lira turke.

Që kur presidenti njoftoi alternativa të reja financiare për llogaritë e kursimeve në lirat turke të hënën në mbrëmje, monedha vendase u rivlerësua fuqishëm kundrejt dollarit amerikan.

Sipas të dhënave zyrtare, vlera e dollarit në raport me lirën turke ra deri në 10,23 të enjten, nga 18,36 të hënën, një rënie kjo prej 44,3%.

Presidenti Erdogan u ndal më pas mbi vaksinën “TURKOVAC” të prodhuar nga Turqia kundër llojit të ri të koronavirusit dhe të miratuar për përdorim emergjent ditën e mërkurë.

Ai u shpreh se Turqia është një prej 9 vendeve që arritën të prodhojnë me shpejtësi një vaksinë kundër COVID-19 dhe se “TURKOVAC” është një zhvillim që kurorëzon punën e bërë gjatë periudhës së pandemisë.

“Në çdo fazë të vaksinës sonë të zhvilluar tërësisht me mjete vendase dhe kombëtare duke filluar që nga qeliza, morën pjesë vetëm shkencëtarët e studiuesit tanë. Me miratimin për përdorim (emergjen) në këtë drejtim, ne do të ofrojmë vaksina vendase «TURKOVAC» për qytetarët tanë, pas «Sinovac» e «Biontech», madje edhe në shërbim të gjithë njerëzimit. Ndërkohë, ne po zbatojmë në Ankara Projektin e Higjienës si qendra e kërkim-zhvillimit dhe prodhimit të vaksinave me kapacitetin më të madhe në botë. Tenderin do ta bëjmë së shpejti. Procesi i tenderit të Projektit të Higjienës, i cili ka një sipërfaqe të mbyllur prej 50 mijë metrash katrorë në një zonë afër Aeroportit «Esenboga», do të përfundojë javën e ardhshme”, tha Erdogani.

I pyetur nëse projekte të reja ishin në rendin e ditës gjatë kontaktit të tij me themeluesin e kompanive “Tesla” dhe “SpaceX”, Elon Musk, pas dërgimit në hapësirë të satelitit të 8-të të Turqisë, “Turksat 5B”, udhëheqësi turk u përgjigj duke theksuar se teknologjitë satelitore dhe hapësinore kërkojnë ekspertizë dhe infrastrukturë specifike e të kualifikuar.

Erdogani njoftoi më tej se sateliti “Turksat 6A”, prodhimi i të cilit vazhdon me një sistem inxhinierik dhe kapacitete 100% kombëtare, do të dërgohet në hapësirë në vitin 2023 me raketën “Falcon 9” të kompanisë “SpaceX”.

“Prania jonë në hapësirë do të forcohet me përparimet që kemi bërë vitet e fundit, me burimet njerëzore të kualifikuara që kemi trajnuar dhe me infrastrukturat që kemi krijuar. Varësia nga jashtë në këtë fushë do të reduktohet dhe madje do të jemi në gjendje të eksportojmë në këtë aspekt”, shtoi presidenti.

Ndërsa pyetjes se çfarë ardhmërie e pret Turqinë për sa i përket marrëdhënieve me Afrikën, Erdogani iu përgjigj me këto fjalë: “Si Turqi, ne duam të jemi të pranishëm në të gjithë Afrikën duke hapur ambasada në pothuajse të gjitha vendet afrikane. Gjithashtu ne duam të ecim krah për krah me Afrikën duke u bazuar në parimin «fito-fito» në të gjitha pasuritë e saj nëntokësore dhe mbitokësore.”

“Turqia është atje me moton «të fitoni edhe ju, të fitojmë edhe ne, të fitojmë së bashku» dhe, me thënë të drejtën, vendet afrikane na besojnë neve në këtë aspekt. Ata thonë «ejani ta kryejmë së bashku». Pra, ata kanë arritur në këtë pikë”, përfundoi shefi i Ankarasë zyrtare. /trt