Erdoğan: Pandemia e COVID-19 ekspozoi padrejtësitë dhe të metat e sistemit global

“Shpresojmë që pabarazitë në sistemin global, veçanërisht në shëndetësi dhe siguri, sa më parë të eliminohen”, tha presidenti Erdoğan në një video-mesazh

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan ka deklaruar se pandemia e koronavirusit (COVID-19) ka ekspozuar sërish padrejtësitë dhe të metat në sistemin global, raporton Anadolu Agency (AA).

“Shpresojmë që pabarazitë në sistemin global, veçanërisht në shëndetësi dhe siguri, sa më parë të eliminohen”, tha presidenti Erdoğan në një video-mesazh drejtuar një takimi të nivelit të lartë të rajonit evropian të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) mbi shëndetin dhe emigracionin.

Erdoğan theksoi se për një botë më paqësore, më të qëndrueshme dhe më të drejtë është e qartë se duhet të mësojmë nga gabimet tona.

Sipas tij, është e pamundur të arrihen objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm dhe mbulimit universal shëndetësor në një botë që “injoron shëndetin e refugjatëve dhe emigrantëve”. Ai shtoi se vlerëson përpjekjet e OBSH-së për të zhvilluar një plan të ri veprimi për emigracionin dhe shëndetin në rajonin evropian.

“Shpresoj se ky takim, i cili po zhvillohet në një mjedis ku 85 milionë refugjatëve për vetëm tre javë u janë shtuar 3 milionë njerëz, do të hapë rrugën për ide të reja dhe propozime të reja për zgjidhje”, tha Erdoğan.

Duke theksuar se pandemia COVID-19 ka pasur një “ndikim shkatërrues” te grupet e cenueshme, veçanërisht te refugjatët dhe emigrantët e parregullt, ai tha se “Qasja e refugjatëve në shërbimet bazë të kujdesit shëndetësor, që është shumë e kufizuar në disa vende, fatkeqësisht është penguar në këtë proces”.

Ai theksoi se Turqia nuk ka hezituar kurrë të “ndajë të gjitha mjetet që ka në dispozicion me ata në nevojë duke u ofruar shërbime me cilësi të lartë të kujdesit shëndetësor për qytetarët e tyre”.

“Gjatë ditëve më të errëta të pandemisë, ne siguruam pajisje mjekësore dhe mbështetje materiale kritike për 160 vende dhe 12 organizata ndërkombëtare që kërkuan ndihmë”, tha Erdoğan.

Ai njoftoi se Turqia ka ofruar 3.1 milionë shërbime të trajtimit spitalor “vëllezërve dhe motrave siriane”, si dhe 96.7 milionë shërbime ambulatore përmes objekteve të saj të kujdesit shëndetësor.

“Ne kemi kryer 2.6 milionë operacione dhe kemi administruar gjithsej 8.7 milionë doza vaksinash në spitalet tona nën skemën tonë kombëtare të zbatimit të vaksinimit”, tha ai, duke theksuar krijimin e 185 qendrave shëndetësore të emigrantëve në 29 nga 81 provincat e vendit.

Erdoğan po ashtu njoftoi se vendi i tij gradualisht po dorëzon 15 milionë doza të vaksinave për “vëllezërit dhe motrat tona afrikane”, të premtuara gjatë samitit të tretë të partneritetit Turqi-Afrikë.

“Ndërkohë, ne po përpiqemi, aq sa mundemi, të plotësojmë kërkesat për vaksinën tonë vendase ‘Turkovac’ “, tha presidenti turk. /aa