Aludimet e kësaj skeme pushteti, nga misionet e veçanta diplomatike të muajve të fundit
Bilal Erdogan, djali 44-vjeçar i presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, ka zhvilluar gjatë ditëve të fundit një seri takimesh të nivelit më të lartë në Liban, duke nxitur pikëpyetje mbi qëllimin e vizitës dhe rolin që ai mund të luajë në strategjinë rajonale të Ankarasë.
Edhe pse nuk mban asnjë funksion zyrtar në qeverinë turke, Bilali është bërë gjithnjë e më i pranishëm në jetën publike dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare të Turqisë.
Ai është anëtar i Këshillit të Lartë Këshillimor të Fondacionit Turk të Rinisë (TÜGVA), një organizatë e afërt me pushtetin, si dhe drejton një rrjet institucionesh arsimore dhe kulturore me lidhje të forta me qarqet konservatore.
Një zyrtar i lartë libanez i tha Middle East Eye, se vizita kishte karakter kryesisht social dhe ekonomik. Bilali shoqërohej nga përfaqësues të biznesit dhe institucioneve turke, ndërsa synimi ishte forcimi i bashkëpunimit dhe përcjellja e një mesazhi mbështetjeje për Libanin.
Vizita ishte koordinuar me autoritetet shtetërore libaneze. Megjithatë, pritja nga drejtuesit më të lartë të vendit dhe përfshirja në takime me përfaqësues të komuniteteve të ndryshme fetare e politike e tejkaluan kuadrin e një vizite të zakonshme kulturore.
Takime nga Bejruti në Tripoli
I ftuar nga zëvendëskryeministri libanez Tarek Mitri, Bilal Erdogan u prit nga presidenti Joseph Aoun dhe zhvilloi takime me kryetarin e Parlamentit, Nabih Berri, Bahia Haririn dhe liderin druz Walid Jumblatt.
Sipas Al-Monitor, në takimin me Aoun u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit në investime, rindërtim, tregti, turizëm dhe infrastrukturë.
Ditën e dytë, ai udhëtoi drejt Tripolit, qytet me shumicë sunite, ku u prit nga turma njerëzish me flamuj turq dhe libanezë. Takime zhvilloi edhe me drejtues të komuniteteve muslimane dhe të krishtera, përfshirë myftiun e qytetit, Sheikh Mohammad Imam, dhe përfaqësues të kishave maronite e ortodokse.
Në një aktivitet të organizuar në kuadër të Dialogut për Lidershipin Strategjik Liban-Turqi, Bilali vuri në dukje lidhjet historike mes dy vendeve dhe interesin e Ankarasë për stabilitetin e Libanit dhe Sirisë.
Sipas L’Orient Today, vizita përfshiu edhe rajonin e Akkarit, në veri të Libanit, ku djali i presidentit turk zhvilloi takime me autoritete fetare dhe përfaqësues vendorë.
Pasardhësi i mundshëm?
Pikërisht këtu nis edhe dimensioni më interesant i kësaj vizite. Në Turqi, emri i Bilal Erdogan është përmendur gjithnjë e më shpesh në diskutimet për pasuesin e presidentit aktual.
Në një analizë të publikuar më 28 shkurt të këtij viti, Al-Monitor shkruante se shfaqjet e shpeshta publike të Bilalit, përfshirë daljet në mediat pranë qeverisë dhe pjesëmarrjen në udhëtimet ndërkombëtare të të atit, kanë shtuar spekulimet për hyrjen e tij në politikë.
Edhe media si Bloomberg, raportojnë se brenda AKP-së po shqyrtohej mundësia e përfshirjes së tij në politikë.
Sipas analistëve të cituar nga Al-Monitor, skenari më i mundshëm nuk është kandidimi i menjëhershëm për president, por marrja fillimisht e drejtimit të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP). Kjo do t’i jepte mundësinë të ndërtonte autoritetin e vet brenda strukturave të pushtetit, duke përfituar nga mbështetja e të atit.
Ndërkohë, qendra kërkimore polake OSW, në një analizë të 18 marsit 2026 me titullin “Në radhë për fronin: përgatitjet për transferimin e pushtetit në Turqi”, e rendit Bilalin ndër kandidatët kryesorë për pasardhës të Erdoganit, së bashku me dhëndrin e presidentit, Selçuk Bayraktar, dhe ministrin e Jashtëm, Hakan Fidan.
OSW vëren se Bilali ka ndërtuar ndikimin e tij përmes një rrjeti fondacionesh të afërta me AKP-në, ndërsa ekspozimi i tij në mediat proqeveritare është rritur ndjeshëm.
Sipas analizës, TÜGVA përbën një nga bazat më të rëndësishme organizative të këtij ndikimi. Megjithatë, në garën e mundshme për pasardhësin e Erdoganit janë edhe figura të tjera me peshë, veçanërisht Hakan Fidan dhe Selçuk Bayraktar.
Një faktor tjetër është vetë e ardhmja politike e presidentit. Sipas OSW-së, mandati aktual i Erdoganit duhet të jetë i fundit, nëse zgjedhjet e vitit 2028 zhvillohen sipas kalendarit kushtetues. Megjithatë, zgjedhjet e parakohshme mund t’i krijojnë mundësinë të kandidojë sërish. Kjo do ta shtynte edhe më tej çështjen e pasardhësit.
Për momentin, Bilal Erdogan nuk është një pasardhës i shpallur, por një figurë që po fiton dukshmëri dhe kontakte ndërkombëtare. Vizita në Liban, ashtu si udhëtimet e mëparshme në Siri dhe Japoni, mund të shihet si pjesë e këtij zgjerimi të profilit publik.
Nëse kjo do të shndërrohet në një projekt të mirëfilltë politik, kjo mbetet për t’u parë. \tesheshi







