Erdoğan për sulmin në Iran: Të dyja palët thonë gjëra të ndryshme, nuk ka deklaratë të arsyeshme

“Aktualisht, Izraeli po thotë gjëra të ndryshme, dhe Irani po ashtu po parashtron pikëpamje të ndryshme, domethënë nuk ka marrje përsipër dhe nuk ka asnjë deklaratë të arsyeshme në lidhje me atë që ndodhi”, tha Erdoğan
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, tha sot se Izraeli dhe Irani kanë lëshuar deklarata “të ndryshme” në lidhje me sulmin e raportuar izraelit ndaj Iranit sot herët dhe se ka mungesë qartësie, raporton Anadolu.

“Aktualisht, Izraeli po thotë gjëra të ndryshme, dhe Irani po ashtu po parashtron pikëpamje të ndryshme, domethënë nuk ka marrje përsipër dhe nuk ka asnjë deklaratë të arsyeshme në lidhje me atë që ndodhi”, u tha Erdoğan gazetarëve në Stamboll.

Tensionet midis Iranit dhe Izraelit u përshkallëzuan të shtunën që kaloi pasi Teherani kreu një sulm me dronë dhe raketa në përgjigje të sulmit të 1 prillit ndaj konsullatës së tij në Siri, në të cilin u vranë shtatë oficerë ushtarakë iranianë, duke përfshirë dy komandantë të rangut të lartë.

Sipas raportimeve të mediave, Izraeli kreu një sulm brenda Iranit sot herët në mëngjes.

Erdoğan kritikoi gjithashtu vendimin e SHBA-së për të vënë veton ndaj anëtarësimit të plotë të Palestinës në OKB.

Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, “ne pamë se SHBA-ja qëndroi me Izraelin duke vënë veton ndaj anëtarësimit të plotë të Palestinës”, shtoi ai.

“Ndërsa të gjithë qëndrojnë në krah të Palestinës (për sa i përket anëtarësimit të saj të plotë në OKB), për fat të keq, SHBA-ja demonstroi qëndrimin e saj duke u anuar me Izraelin”, tha presidenti turk.