Erdoğan: Të gjitha vendet duhet të mbështesin luftën e Turqisë kundër terrorit

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se të gjitha vendet duhet të mbështesin luftën e justifikuar të vendit të tij kundër terrorizmit, raporton Anadolu Agency (AA).

“U bëjmë thirrje të gjithëve që kanë parime dhe nder të mbështesin luftën dhe qasjen legjitime të Turqisë mbi terrorizmin”, tha presidenti Erdoğan në një fjalim në Ankara para grupit parlamentar të partisë së tij, asaj për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti).

Por vendet që e kualifikojnë këtë luftë me fjalë të tilla si “por” ose “megjithatë”, tha Erdoğan, po bëjnë një “gabim kritik”.

Presidenti turk theksoi se operacionet kundër-terroriste të Turqisë brenda dhe përtej kufijve të saj janë e drejta legjitime e vendit dhe “misione humanitare”.

“Zjarri që nuk e shuani, një ditë do t’ju djegë juve”

Më tej, duke folur për solidaritetin përtej kufijve, presidenti Erdoğan tha se, “Nga Ballkani në Turkistan, nga Kaukazi në Afrikë, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë secilit prej vëllezërve tanë në të gjithë gjeografinë e zemrës sonë në të gjitha ditët e tyre, si në ato të mira ashtu edhe në ato të këqija”.

Erdoğan po ashtu theksoi se për vite Turqia ua ka bërë të qartë miqve perëndimorë në lidhje me luftën kundër terrorizmit, duke shtuar se, “Nëse nuk e shuani zjarrin e terrorit atje ku e shihni, një ditë me siguri ai do të përhapet tek ju”.

“Pavarësisht kësaj, të njëjtat gabime ende po përsëriten. Këtu të gjithë jemi duke parë fatin e atyre që nuk na dëgjojnë. Ne as nuk duam të mendojmë për të ardhmen e këtyre vendeve, rrugët e të cilave janë të mbuluara me zjarr dhe gjak, parlamentet e të cilave janë pushtuar dhe të cilët janë tronditur nga racizmi dhe islamofobia”, u shpreh ai.

Sipas presidentit turk, vendet që preferojnë të bashkëpunojnë me terroristë me mendje të përgjakshme në vend që të bashkëpunojnë me Turqinë “do të humbin në një vrimë të zezë nëse nuk ndryshojnë mentalitetin e tyre”.

Turqia tashmë për një kohë është zhgënjyer nga mungesa e bashkëpunimit të vendeve perëndimore në luftën e saj kundër terroristëve, përfshirë kundër YPG/PKK-së.

Në fushatën e saj terroriste mbi 35-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e rreth 40 mijë personave, përfshirë shumë gra, fëmijë dhe foshnje. YPG-ja është dega siriane e PKK-së.

Në fillim të këtij muaji, pasi PKK-ja vrau 13 persona në një shpellë në Irakun verior, prej të cilëve 12 ishin shtetas turq, SHBA lëshoi një dënim me kusht, duke theksuar se dënon masakrën “nëse konfirmohen raportet e vdekjes së civilëve turq në duart e PKK-së”, deklaratë të cilën Turqia e kritikoi.

Turqia po ashtu kritikoi heshtjen ose dënimin e vonuar të vendeve perëndimore për masakrën në Irakun verior.

Ankara po ashtu ka kritikuar vendet perëndimore se kanë lejuar grupet terroriste të veprojnë në tokën e tyre, për refuzimin e ekstradimit të të dyshuarve për terrorizëm të kërkuar nga Turqia, si dhe për bashkëpunimin me grupe terroriste si YPG/PKK përgjatë kufijve të saj.

Presidenti turk po ashtu foli edhe për çështje të tjera, përfshirë edhe për luftën e vendit me pandeminë e koronavirusit të ri (COVID-19).

Ai theksoi se aktualisht “Perëndimi është duke e marrë shembull” sistemin shëndetësor të Turqisë.

Lidhur me çështjet ekonomike, Erdoğan tha se “interesimi i rretheve ndërkombëtare të financës dhe investimit ndaj Turqisë, i cili ishte ngadalësuar për një kohë, po rritet gradualisht”.