Erdogan: Vrasësit e Jamal Khashoggi të gjykohen në Stamboll

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, ka thënë se vrasja e gazetarit saudit Jamal Khashoggi, ishte planifikuar ditë më parë.

Këto deklarime presidenti turk i ka dhënë para deputetëve nga partia e tij në pushtet, njofton Klan Kosova.

Ai tha se Turqia kishte dëshmi të forta se Khashoggi vdiq pas një vrasje me paramendim dhe “të egër” në konsullatën saudite në Stamboll më 2 tetor.

Erdogan gjithashtu bëri thirrje që të dyshuarit të gjykoheshin në Stamboll.

Më tej ai kërkoi që Arabia Saudite të japë përgjigje se ku ishte trupi i Khashoggi dhe kush e kishte urdhëruar operacionin.

Mbretëria Saudite ka dhënë llogari kundërthënëse të asaj që i ndodhi Khashoggi, një banor i SHBA dhe kontribues i Uashington Post.