I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se Formimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe është një kërkesë ligjore për Prishtinën, ndërsa ai shtoi se zgjedhjet e reja në katër komunat në veri nuk duhet ta presin fundin e korrikut.
“Pra, unë po flas për faktet. Është në Marrëveshjen e Brukselit, në konkludimet e Këshillit Evropian, dhe në kuadër të Marrëveshjes së Ohrit. Nuk është marrëveshjes mes Kurtit e Serbisë, por mes Kosovës dhe Serbisë. Nëse Kosova dëshiron t’i bashkohet procesit të integrimit euroatlantik, atëherë duhet ta përmbushë këtë. Pyetja është nëse do të realizohet tash apo brenda një qeverie të ardhshme”, tha Escobar në konferencë për media, raporton “B92”.
Ai ka thënë se Marrëveshja e Ohrit është gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Aty janë shprehur qartë përgjegjësitë e të dyja palëve. Gjithçka mund të bëhet shpejt, duke përfshirë edhe formimin e AKS-së”, tha Escobar.
Escobar ka thënë se për zgjedhjet e reja në veri, “nuk dëshiron të presë deri në fund të korrikut, porse ky është një plan që aktualisht është duke u zhvilluar”.
“Pra, unë mendoj se sfida më e madhe për Serbinë është që t’i bindë serbët e Kosovës që të kthehen në institucione. Ne duhet të sigurohemi që serbët të marrin pjesë në zgjedhje dhe e të jenë të mirëseardhur në kthimin në institucione”, tha Escobar.
Ai nuk ka dashur të flasë për afatet që SHBA-së dhe BE-së vendosur Prishtinës.
“Kurtit nuk i kam dhënë asnjë afat, ajo që kam kërkuar në Prishtinë ka qenë – kam pyetur se cilat janë hapat e mëtejshëm. Miroslav Lajçaku dhe unë kemi thënë se pas kësaj vizite duhet të dorëzojmë raportet. Shtëpia e Bardhë po kërkon që unë deri të premten të japë informacionet më të reja të asaj që po ndodh, e Lajçaku duhet t’i raportojë Josep Borrellit se çfarë po ndodh. Por, ky është hapi i radhës për mua, nuk është një afat. Bazuar në raportin e ardhshëm, ne do të bëjmë disa vendime për të ardhmen, por nuk është ndonjë afat për askënd”, tha Escobar.
Escobar ka thënë se SHBA-ja është e përkushtuar ta “ndihmojë Serbinë e Kosovën në një mënyrë që funksionon për të gjithë” dhe se kjo të çojë në një përfitim të gjithë Ballkanit Perëndimor.
“Ne nuk duhet të harrojmë se Ballkani mund të jetë pjesa me rritjen më të shpejtë në Evropë, pjesa më dinamike e Evropës, që i kontribuon sigurisë rajonale”, tha Escobar.








