Lubomir Ristiq, babai i njërit prej gjashtë të rinjve serbë të vrarë në sulmin ndaj kafenesë “Panda” në Pejë më 14 dhjetor 1998, i ka bërë thirrje Prokurorisë kundër krimit të organizuar në Serbi që të marrë në pyetje presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, lidhur me deklaratat e tij për këtë rast.
Ristiq tha për agjencinë serbe të lajmeve “Beta” se familjet e viktimave kanë kërkuar disa herë takim me Vuçiqin, pas deklaratave të tij publike se “e di çfarë ka ndodhur në natën kritike në ‘Panda’”.
Sipas tij, përfaqësuesi ligjor i familjeve, avokati Ivan Niniq, i ka paraqitur më 10 gusht 2023 Prokurorisë një propozim zyrtar që presidenti të merret në pyetje si dëshmitar. Megjithatë, deri tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim i tillë hetimor.
“Vuçiqi kurrë nuk na ka pritur për bisedë, ndonëse ka premtuar. I lutem Prokurorisë që më në fund ta marrë në pyetje, në mënyrë që gjatë jetës sonë të zbulohet kush ishin autorët dhe urdhërdhënësit e vrasjes së gjashtë djemve”, deklaroi Ristiq.
Nga viti 2013 deri në vitin 2018, Vuçiq ka bërë disa deklarata publike lidhur me rastin “Panda”.
Më 26 dhjetor 2013, si zëvendëskryeministër dhe shef i Byrosë për Koordinimin e Shërbimeve të Sigurisë, ai deklaroi në emisionin “Teška reč” në TV Pink se “krimin në ‘Panda’ nuk e kanë kryer shqiptarët” dhe se opinioni do të tronditej kur të zbulohej e vërteta.
Më 11 dhjetor 2015, në një konferencë për media, ai tha se ishte “pothuajse i sigurt” për atë që kishte ndodhur, por se nuk kishte prova.
Prokuroria kundër krimit të organizuar ka bërë të ditur se ende nuk është vendosur nëse do të merren në pyetje dëshmitarë të rinj, përfshirë edhe presidentin.
Sulmi ndaj kafenesë “Panda” ndodhi më 14 dhjetor 1998 rreth orës 20:00, kur dy persona të maskuar hapën zjarr ndaj mysafirëve, duke vrarë gjashtë të rinj serbë.
Disa ditë pas ngjarjes, autoritetet arrestuan rreth 150 shqiptarë lokalë, por ata u liruan për mungesë provash. Hetimi zyrtar në Prokurorinë për krimin e organizuar në Beograd nisi në vitin 2016.
Deri tani janë marrë në pyetje 39 dëshmitarë, por nuk është ngritur aktakuzë. Në shtator 2025, Prokuroria konfirmoi se hetimi nuk është mbyllur, ndonëse në dy vitet e fundit nuk është marrë në pyetje asnjë dëshmitar i ri.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka cilësuar më herët rastin si “sulm terrorist të Serbisë”, duke akuzuar shtetin serb për fshehje të së vërtetës edhe pas 25 vjetësh.
Ndërkohë, Natasha Kandiq, drejtoreshë e Fondit për të Drejtën Humanitare, ka deklaruar më 2014 se shqiptarët lokalë kishin mohuar përfshirjen në krim dhe kishte ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e hetimit dhe arrestimeve masive që pasuan ngjarjen.








