Federata izraelite bën kërkesë për shtyrjen e duelit me Kosovën

Ndeshja mes Kosovës dhe Izraelit, përfundimisht do të shtyhet dhe ky vendim pritet të bëhet publik gjatë ditës së sotme.

Mediumet izraelite kanë njoftuar të hënën se Federata e Futbollit të Izraelit edhe zyrtarisht i ka bërë UEFA-s, kërkesë për shtyrjen e duelit me Kosovën për shkak të luftës. Ndeshja mes Kosovës dhe Izraelit, ishte e paraparë të luhet më 15 tetor në Prishtinë në kuadër të Grupit i kualifikues për “Euro 2024”.

Po ashtu, është njoftuar se federata izraelite tashmë ka anuluar rezervimit e hotelit në Prishtinë, ku do të akomodohej para ndeshjes me Kosovën.

Gjithashtu, për anulimin e hotelit, federata izraelite ka njoftuar edhe Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK). Në rast se konfirmohet shtyrja e këtij dueli, atëherë termini i ri i caktuar nga UEFA pritet të jetë në muajin dhjetor. UEFA, tashmë ka shtyrë ndeshjen e Izraelit që do ta luante ndaj Zvicrës më 12 tetor në Tel Aviv.