Pesëqind sosh që mësuan Kur’anin nën gjenocid: ku e gjetën kurajon, forcën, aftësinë?!
Nga: Jeni Myftari
Në skajin jugor të Mesdheut, Rripi i Gazës nuk është thjesht një territor i vogël me 2.1 milionë njerëz – është një arenë ku shpresa dhe dhimbja bashkëjetojnë në një realitet që sfidon imagjinatën njerëzore. Lufta e fundit dyvjeçare ka shkaktuar vdekje masive, shkatërrim dhe zhvendosje, duke lënë pas plagë të thella në jetën e civilëve dhe duke nxjerrë në pah një heroizëm shpirtëror që rrallë gjen shprehje me fjalë.
Që nga 7 tetori 2023, kur konflikti midis forcave izraelite dhe Hamasit mori një përmasë të re, Gaza është bërë simbol i një lufte urbane me pasoja katastrofike për civilët. Sipas raporteve të organizatave humanitare, qindra mijëra palestinezë janë vrarë dhe plagosur, përfshirë një numër të madh fëmijësh (UNICEF, 2025) që kanë paguar çmimin më të lartë për këtë konflikt.
Në këtë tokë të mbuluar nga rrënojat, ku shtëpitë janë kthyer në hi dhe uria ka zëvendësuar tryezën, fëmijët e Gazës po shkruajnë një nga kapitujt më të jashtëzakonshëm të qëndresës njerëzore. Fëmijë të mbetur pa prindër, pa strehë dhe pa ushqim, që përjetojnë traumë dhe frikë të vazhdueshme në çdo hap.
Pavarësisht kësaj, në këtë errësirë të dendur, ndodh diçka që shkon përtej logjikës njerëzore.
Pesëqind fëmijë nga Gaza, të mbijetuar nga bombardimet, uria dhe trauma e luftës, kanë përfunduar me sukses mësimin përmendësh (hifdh) të Kur’anit. Një arritje që nuk mund të matet me standardet e zakonshme të suksesit akademik botëror, sepse është fituar jo në qetësi e rehati, por nën rrënoja, në uri, mes dhimbjes dhe frikës.
Këta fëmijë janë heronj të heshtur. Ata kanë mësuar librin e Krijuesit të gjithësisë jo në klasa të ndriçuara, por në strehime të përkohshme, në xhami të dëmtuara, në dhoma pa çati, nën yje në qiell të hapur. Ata kanë përsëritur ajetet jo në siguri, por ndërsa qielli dridhej nga bombardimet. Ata e kanë mbajtur Kur’anin në zemër, ndërkohë që bota i kishte harruar.
Valle, nga e gjetën forcën?
Forca e tyre buron nga besimi. Nga bindja se fjala e Allahut është strehë kur nuk ka strehë tjetër, është dritë kur gjithçka rreth tyre errësohet. Kur buka mungon, Kur’ani i ushqen shpirtin. Kur trupat plagosen, Kur’ani shëron zemrën. Kur bota hesht, Kur’ani flet.
Këta fëmijë kanë shkuar përtej njerëzores. Ata kanë treguar se qëndresa nuk është vetëm të mbijetosh, por të ruash dinjitetin, shpresën dhe lidhjen me Zotin edhe në kushtet më çnjerëzore. Duke e mësuar Kur’anin përmendësh, ata e kanë kthyer librin e Allahut në pishtarin ndriçues të zemrave të tyre, në një dritë që nuk e shuajnë as bombat, as uria, as harresa globale.
Heroizmi i tyre është një akt akuzues për heshtjen mbarëkombëtare dhe ndërkombëtare. Është një pasqyrë ku bota duhet të shohë veten dhe të pyesë: si është e mundur që fëmijët, të uritur dhe të plagosur, tregojnë më shumë forcë morale sesa fuqitë dhe organizatat ndërkombëtare që pretendojnë të mbrojnë të drejtat e njeriut?
Arritja e këtyre 500 fëmijëve është dëshmi se besimi që Zoti mbjell në zemrat e besimtarëve nuk shkulet me forcë. Përkundrazi, sa më shumë përpiqen ta shtypin, aq më shumë ai rritet, thellohet dhe ndriçon. Gaza, edhe pse e plagosur, vazhdon të lindë shpresë. Edhe pse e rrethuar, vazhdon të flasë me zë të lartë përmes durimit dhe besimit.
Përtej statistikave shokuese të humbjeve, kequshqimit dhe dëshpërimit, qëndresa shpirtërore e këtyre fëmijëve është një reflektim i fuqisë së besimit njerëzor. Ai sfidon çdo teori që shpirtin njerëzor mund ta thyejë dhuna, uria apo indiferentizmi global.
Kjo arritje është një shembull universal i atyre që, edhe nën peshën më të madhe të padrejtësisë, nuk humbasin shpresën. Ajo na fton të mendojmë jo vetëm për çështje politike apo humanitare, por për atë çka përbën thelbin e humanitetit: dritën shpirtërore që asnjë bombë, bllokadë apo heshtje globale nuk mund ta shuajë.
Këta fëmijë të Gazës e kanë fituar luftën, edhe nëse janë vrarë e keqtrajtuar dhe janë lënë pa mëshirë nën kërcënimin e urisë të shkaktuar nga qenie që e konsiderojnë veten njerëzore. Ata kanë fituar kundër fuqive më shkatërruese në botë që janë bashkuar dhe hedhim bomba mbi fëmijë e gra. Ata janë bërë tashmë pishtari që ndriçon horizontin gri të kësaj toke që e quajmë shtëpinë tonë të përbashkët.
Ky nuk është vetëm një tregim palestinez. Ky është një MESAZH universal për të gjithë të shtypurit në botë: se shpresa nuk varet nga rrethanat, por nga ajo që mbajmë në zemër. Dhe kur zemra lidhet me Zotin, asnjë fuqi tokësore nuk mund ta mposhtë.
Respekt, nder dhe lavdi për fëmijët e Gazës, për popullin martir palestinez, që edhe mes shkatërrimit vazhdon të dëshmojë se drita e besimit është më e fortë se çdo errësirë!








