Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Femrat kundër Trump, protesta në shumë vende të botës

Femrat kundër Trump, protesta në shumë vende të botës

Tre martesa dhe dy divorce nuk janë detyrimisht tregues se e ke të vështirë të gjesh gjuhën me femrat, por një farë hije dyshimi e lënë.

Duket se këtë mendim kanë me miliona femra në botë që të shtunën protestuan kundër presidentit amerikan Donald Trump, megjithëse qëllimi i tyre ishte shumë më i lartë. Në protesta u theksuan me forcë të drejtat e femrave, të cilat protestuesit besojnë se janë të kërcënuara nga administrata e re amerikane, transmeton Top Channel.

Sigurisht që komentet e cilësuara seksiste të presidenti amerikan gjatë fushatës, thjesht kanë ndezur reagimin.

Rreth 600 protesta janë lajmëruan në të gjithë planetin dhe Uashingtoni ishte qendra e vëmendjes, duke u shndërruar nga kryeqyteti amerikan në kryeqytetin e reagimit femëror ndaj Trump.

Organizatorët thonë se kishin kërkuar leje për 200 000 vetë, por duket se turma ka arritur në gjysmë milioni. Sipas tyre, pas kërcënimit dhe fyerjeve që femrat morën gjatë fushatës zgjedhore, marshimi në Uashington, por edhe më gjerë i dërgon një mesazh qeverisë në ditën e parë në detyrë se të drejtat e femrave janë të drejta njerëzore.

Protesta të ngjashme u zhvilluan në Francë, Gjermani, Britaninë e Madhe, Argjentinë, Meksikë, Zelandën e Re, Australi dhe shumë vende të tjera. Vetëm në SHBA pritet të organizohen rreth 300 protesta të tilla.

Megjithatë, Trump nuk duket shumë i shqetësuar nga kjo, pasi gjatë protestave mori pjesë në një meshë fetare. Një ditë më parë, ai firmosi urdhrat e tij të parë, mes të cilëve më i rëndësishmi ai i nisjes së luftës kundër “Obamacare”, një nga premtimet kryesore të fushatës.