FFK njofton se katër lojtarë të ftuar për ndeshjet e nëntorit nuk janë grumbulluar

Përfaqësuesja e Kosovës ka filluar grumbullimin për ndeshjet e muajit nëntor.

Dardanët do t’i zhvillojnë dy ndeshje në këtë muaj, ku fillimisht përballen me Jordaninë në ndeshje miqësore më 10 nëntor, derisa katër ditë më vonë luajnë në udhëtim te Greqia.

Trajneri i Kosovës, Primoz Gliha ka publikuar listën me lojtarët e ftuar të premten, por katër lojtarë do t’i mungojnë shkaku i lëndimeve.

Ka qenë Federata e Futbollit të Kosovës që ka njoftuar se futbollistët si Elbasan Rashani, Zymer Bytyqi, Bersant Celina dhe Lirim Kastrati nuk do të bashkohen me Kosovën.

“Sot ka filluar grumbullimi i ekipit kombëtar për dy ndeshjet e fundit të vitit 2021, miqësoren ndaj Jordanisë, që zhvillohet të mërkurën në Prishtinë dhe përballjen e fundit kualifikuese për Kampionatin Botëror “Katar 2022”, që zhvillohet të dielën ndaj Greqisë në Athinë”.

“Tre futbollistë që ishin pjesë e listës së përzgjedhësit Gliha nuk do t’i bashkohen ekipit në këtë grumbullim. Elbasan Rashani ka pësuar lëndim në ndeshjen e djeshme me klubin e tij, kurse Lirim Kastrati e Bersant Celina me kërkesën e tyre për shkak të situatave respektive në klubet e tyre janë liruar nga obligimet me ekipin kombëtar për këtë grumbullim”.

“Po ashtu mbetet për t’u vlerësuar situata e Zymer Bytyqit, që ka pësuar lëndim në ndeshjen e djeshme me klubin e tij. Bytyqi është duke i kryer ekzaminimet mjekësore me klubin e tij dhe më pas do të merret vendimi definitiv për të”, ka shkruar faqja zyrtare e FFK-së.