FFK sot merr përgjigje nga ministritë për lejimin apo jo të stërvitjeve

Kanë kaluar pothuajse dy muaj nga vendimi i marrë nga Qeveria e Kosovës për pezullimin e të gjitha aktiviteteve sportive në Kosovë, shkaku i pandemisë coronavirus.

Derisa kanë kaluar dy muaj prej pezullimit të futbollit, shumë shtete në Evropë dhe botë kanë nisur t’i lehtësojnë masat dhe të caktojnë data për rifillimin e kampionatit të futbollit.

Por ka edhe shtet si Belgjika, Franca, Gjibraltari dhe Holanda që e kanë përfunduar edicionin aktual, derisa shumica tjetër shpreson në vazhdimin e tij.

Në Kosovë, ende nuk ka ndonjë datë zyrtare për rikthimin e skuadrave në stërvitje, ndonëse disa prej tyre kanë nisur që në mënyrë të fshehtë të stërvitin në grupe të vogla.

Megjithatë, gjatë ditës së sotme, Ministria e Shëndetësisë në koordinim me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik do të vendosin fatin e kampionatit kosovar të futbollit.

Superliga kërkon që që fillojë garat në fund të muajit maj, ose më së largu në fillim të muajit qershor që të mbyll kampionatin e rregullt.