Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Hakan Fidan, deklaroi se diskutimet dhe marrëveshjet e arritura gjatë bisedimeve për Gazën të mbajtura në Miami janë shpresëdhënëse, duke theksuar se palët po zhvillojnë diskutime për kalimin në fazën e dytë të planit të paqes për Gazën, raporton Anadolu.
Bisedimet u zhvilluan me pjesëmarrjen e SHBA-së, Turqisë, Egjiptit dhe Katarit, ndërsa pala turke u përfaqësua nga ministri Fidan. Duke folur për gazetarët pas bisedimeve, Fidan tha se përfundimi i fazës së parë ka hapur rrugën për diskutimin e parametrave të fazës së dytë.
“Shkeljet e vazhdueshme të armëpushimit nga Izraeli e vështirësojnë ndjeshëm procesin. Të gjitha palët janë të një mendimi për këtë çështje”, theksoi Fidan.
Sa i përket të ardhmes së Gazës, Fidan theksoi se është paraqitur një punim paraprak për rindërtimin e Gazës, mbi të cilin është zhvilluar diskutim fillestar.
“Gaza duhet të qeveriset nga banorët e Gazës. Territori i saj nuk duhet të ndahet në asnjë mënyrë. Çdo gjë që bëhet në Gaza duhet të bëhet për banorët e Gazës”, nënvizoi kryediplomati turk.
Ministri turk bëri të ditur se është diskutuar edhe kalendari i mundshëm për transferimin e administrimit të Gazës te një komitet teknokratësh, si dhe çështja e Bordit të Paqes, për të cilin po zhvillohen diskutime paralele lidhur me mënyrën e zbatimit.
Fidan tha se gjatë takimeve u diskutua edhe koncepti i Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit, duke theksuar se palët patën mundësinë të paraqesin perspektivat e tyre dhe të dëgjojnë qasje të ndryshme.
Ai e cilësoi takimin në Miami si takimin më të rëndësishëm në nivel të lartë pas atij në Sharm el-Sheikh të Egjiptit.
Duke folur për situatën humanitare, Fidan theksoi se ndihmat humanitare janë jashtëzakonisht të rëndësishme, duke kujtuar se edhe presidenti turk Recep Tayyip Erdogan është shumë i ndjeshëm ndaj kësaj çështjeje, veçanërisht në kushtet kur po afrohet dimri.






