Fidan: Komuniteti ndërkombëtar i braktisi, Turqia e vetme ishte me popullin sirian

Ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, ka deklaruar se Turqia do të jetë gjithmonë pranë vëllezërve sirianë, raporton Anadolu.

“Në një mjedis ku komuniteti ndërkombëtar e ka lënë popullin sirian në fatin e tij, Turqia ka vazhduar të qëndrojë e vetme me popullin sirian”, tha Fidan në një fjalim në Asamblenë e Madhe Kombëtare të Turqisë.

Fidan theksoi se është shumë e rëndësishme të vendoset stabiliteti në Siri pas rënies së regjimit të Bashar Asadit.

“Ne duam të shohim një Siri ku mbretëron qetësia dhe paqja, ku komunitetet e ndryshme fetare dhe etnike jetojnë në paqe dhe që nuk krijon destabilitet për fqinjët e saj”, tha Fidan.

Ai gjithashtu theksoi se Izraeli po sulmon sovranitetin dhe integritetin territorial të Sirisë.

“Izraeli, i cili ka hyrë në territorin sirian, vë në shënjestër sovranitetin dhe integritetin territorial të Sirisë me mendësinë e tij pushtuese”, tha Fidan.

Ai tha se “agresioni, krimet dhe shkelja e ligjeve vazhdojnë nga Izraeli”, por shtoi se “Turqia do të jetë gjithmonë me vëllezërit sirianë”.

Ministri turk foli edhe për sulmet izraelite në Gaza, duke theksuar se Ankaraja vazhdon aktivitetet për të siguruar një armëpushim të përhershëm në enklavën palestineze.

Bashar Asadi, lideri i Sirisë për pothuajse 25 vjet, u arratis në Rusi pasi grupet kundër regjimit morën kontrollin e Damaskut herët të dielën, duke i dhënë fund sundimit të Partisë Baath, e cila ka qenë në pushtet në Siri që nga viti viti 1963.