Ballina Artikuj “Filozofia e Bismilahit”

“Filozofia e Bismilahit”

Hoxhë Halil Avdulli

Që prej momentit kur Sulejmani ia dërgoi letrën Mbretëreshës së Sebes me fjalët:
“Bismil-lahi Rrahmani Rrahim”,
Bismilahi u shoqërua me dy emra të Zotit:
Rrahman dhe Rrahim.
Ndonëse Zoti ka shumë emra të tjerë, u zgjodhën pikërisht këta dy emra (Mëshiruesi dhe Mëshirëbërësi) që ta shoqërojnë bismilahin deri në Kijamet.
Kjo, në mënyrë që çdo punë e filluar me emrin e Zotit të mos dalë kurrë jashtë kufijve kuptimorë të mëshirës.
Çdo vepër që bëhet me “Bismilah”, por që nuk klasifikohet brenda kufijve të mëshirës, në thelb nuk është vepër në emrin e Zotit.
Me fjalë të tjera:
Autorizimi që Zoti i ka dhënë njeriut për të vepruar me emrin e Tij nuk është absolut; ai është i kushtëzuar me kufijtë e mëshirës.
Prandaj vetë “Bismilahi” e përgënjeshtron çdo dorë që, në emër të Zotit, derdh gjak të pafajshëm, bën zullum apo përhap çrregullim mbi tokë.
Përkufizimi i Bismilahit me (Rrahmani Rrahim) është, në esencë, një shfajësim hyjnor nga të gjitha aktet që maskohen pas emrit të Zotit, në mënyrë që emri i Tij të mos shndërrohet në slogan të krimit, dhunës dhe padrejtësisë mbi tokë.
Hoxhë Halil Avdulli