“Flamuri serb le të valojë nga Prizreni deri në Rumijë”, tre lojtarë serbë provokojnë pas ndeshjes ndaj Portugalisë – nuk ka reagim nga FIFA

Lojtarët e Serbisë duket se nuk e kanë problem që sportin ta bëjnë pjesë të politikës dhe kjo u pa edhe në takimin ndaj Portugalisë në ndeshjen që u luajt në kuadër të kualifikimeve të Kupës së Botës që mbahet në vitin 2022 në Katar.

Derisa fituan ndaj portugezëve, tre lojtarë të serbëve pas ndeshjes provokuan me tre gishta të ngirut lartë, por ajo çfarë shkruhej në fanellat e tyre ishte edhe më shqetësuese.

“Flamuri serb le të valojë nga Prizreni (Kosova) deri në Rumijë (Mali i Zi)” – ishte pjesa që shkruhej në fanellat e tre lojtarëve serbë.

Në ato fanella, po ashtu ishte bashkangjitur një hartë që e paraqet vendin tonë dhe Malin e Zi si pjesë të Serbisë.

Kualifikimet për në Kupën e Botës mbahen nën patronazhin e FIFA-s dhe ende nuk ka asnjë reagim nga shtëpia e futbollit botëror.

Natyrisht se veprime të tilla janë të ndëshkuara me rregullore të shtëpisë më të madhe të futbollit në botë, e që pritet që të ketë masa ndëshkuese ndaj tre lojtarëve serbë.

Thirrje kundër Kosovës kishte edhe në takimin që Dardanët e zhvilluan si mysafir i Greqisë, me dhjetëra tifozë që thërrisnin: “Kosova është Serbi”.