Florent Hasani kalon te Amedspor

Sulmuesi Florent Hasani i është bashkuar liderit të Ligës së Parë Turke, Amedspor nga Boluspori.

Hasani njoftoi disa orë më parë largimin nga Boluspor, duke falënderuar tifozët përmes një postimi në rrjetin social, ndërsa Amedspor e ka prezantuar zyrtarisht si afrim të fundit.

Hasani ka nënshkruar kontratë për një vit e gjysmë, pra deri në fund të edicionit 2026/27.

“Klubi ynë ka nënshkruar kontratë profesionale me futbollistin Florent Hasani, i cili ka mbajtur fanellën e Boluspor. Shpresojmë që transferimi të jetë përfitues për klubin, lojtarind he tifozët dhe i urojmë suksese lojtarit tonë për të garuar në këtë fanellë”, njoftoi Amedspor.

Hasani po kalon ndoshta periudhën më të mirë të karrierës, ku është golashënuesi i dytë më i mirë në ligë me 14 gola, dy më pak se tashmë bashkëlojtari, Diagne.

Përndryshe, Amedspor është favorit për t’u kualifikuar në elitën e futbollit turk me 39 pikë, dy mbi Pendikspor, që renditet e dyta në tabelë.