Florian Marku sonte përballet me Chris Kongon

Boksieri shqiptar Florian Marku sonte në Londër do të boksojë me britanikun Chris Kongo në një duel në dhjetë runde.

Për Markun, që bokson në kategorinë velter, do të jetë dueli i 15-të në boksin profesionist. Ai i ka shënuar 13 fitore, nëntë me ndërprerje dhe e ka një barazim.

Kundërshtari i tij Kongo i ka 14 fitore e dy humbje.

Në konferencë për media, por edhe gjatë matjeve zyrtare ka pasur tension e konfrontime mes dy boksierëve.

“Do të përfundojë rivaliteti të dielën, kur unë ta mposhti atë dhe ta largoj nga jeta ime”, tha Marku, raporton “Sky Sports”.

Marku synon që të vazhdojë karrierën në SHBA pas kësaj përballje. Ai e përmend edhe një emër si rival të mundshëm, ish-kampionin Adrien Broner.

“Do të më pëlqente të shkoja atje dhe të luftoja me Adrien Bronerin. Nuk më pëlqen ai. Duket shumë budalla dhe bën shumë zhurëm. Më pëlqen rasti që t’ia mbylli gojën, pasi ta heshti këtë rivalin që kam tash. Do të ishte meç fenomenal për mua që ta prezantojë veten te tifozët amerikanë”, ka thënë Marku.