Foggo: FSK t’i përmbahet kufizimeve, mos të veprojë në veri

Admirali i Marinës së SHBA-së, James Gordon Foggo III, i cili shërben si Komandant i Forcave të Marinës së SHBA-së për Evropë, gjatë vizitës në Kosovë ka theksuar nevojën që aktivitetet e FSK-së t’i përmbahen kufizimeve të përcaktuara në letrën e Hashim Thaçit, në vitin 2013, në të cilën thuhet se FSK nuk do të veprojë në veri të Kosovës pa miratim paraprak nga KFOR. Foggo është takuar sot me Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj dhe Dalibor Jevtiq. Liderët kanë diskutuar rreth gjendjes momentale të sigurisë në Kosovë, në kontekstin e misionit të KFOR-it për të ofruar një ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Foggo ua përkujtoi Thaçit dhe Haradinajt se Sekretari i Përgjithshëm dhe Këshilli i NATO-s vazhdimisht kanë përsëritur se çfarëdo ndryshimi në mandatin e FSK-së nënkupton që NATO-ja duhet ta rishqyrtojë nivelin e angazhimit me FSK-në. Sipas tij, kjo çështje është në proces e sipër në Bruksel. “Ai theksoi nevojën që aktivitetet e FSK-se t’i përmbahen kufizimeve të përcaktuara në letrën e Thaçi në vitin 2013, në të cilën thuhet se FSK nuk do të veprojë në veri të Kosovës pa miratim paraprak nga KFOR. Foggo theksoi se të gjitha palët e interesuara duhet të kuptojnë që Njësia Speciale e Policisë së Kosovës nuk është pjesë e FSK-së dhe institucionet e Kosovës duhet të bëjnë dallimin”, tha ai.