
Një foshnjë dy muajshe, Mohammed Abu Harbid, ka ndërruar jetë nga hipotermia e rëndë në Gaza, duke u bërë viktima e katërt foshnjore që ka vdekur nga të ftohtit që nga nëntori 2025, mes krizës së thellë humanitare që po përkeqësohet nga lufta dhe bllokada.
Zaher al-Wahidi, drejtor i informacionit shëndetësor në Ministrinë e Shëndetësisë në Gaza, i tha Al Jazeeras se foshnja vdiq në Spitalin e Fëmijëve al-Rantisi. Sipas tij, numri i fëmijëve që kanë vdekur nga të ftohtit në enklavë ka shkuar në 12 që nga tetori 2023.
Reshjet e dendura, erërat e ftohta dhe temperaturat e ulëta kanë thelluar emergjencën humanitare, duke goditur veçanërisht familjet e zhvendosura që jetojnë në tenda të përmbytura dhe pa mbrojtje.
Në Spitalin al-Awda në kampin e refugjatëve Nuseirat, personeli mjekësor paralajmëron se foshnjat e lindura para kohe po rrezikojnë jetën për shkak të mungesës së inkubatorëve funksionalë, ndërprerjeve të shpeshta të energjisë elektrike, mungesës së barnave dhe formulës për foshnja. Sipas stafit, shumë inkubatorë hyjnë në Gaza pa bateri, çka i bën të pavlefshëm sapo ndërpritet energjia.
Situata jashtë spitaleve është po aq e rëndë. Familjet e zhvendosura në Gaza City raportojnë se po kalojnë net të tëra duke u përpjekur të mbajnë në këmbë tendat e tyre përballë stuhive, ndërsa fëmijët sëmuren nga të ftohtit dhe lagështia.
Me përkeqësimin e kushteve dimërore, familjet palestineze u bëjnë thirrje organizatave humanitare dhe komunitetit ndërkombëtar për ndihmë urgjente, duke kërkuar strehim më të sigurt, tenda të përshtatshme dhe kushte minimale për mbijetesë. /mesazhi







