Franca deklaratë për Iranin dhe Izraelin

Ministri francez i Punëve të Jashtme, Jean-Yves Le Drian, tha se rifillimi nga Irani i aktiviteteve bërthamore nuk është në kundërshtim me marrëveshjen bërthamore të arritur në vitin 2015. “Nëse kalohet në një nivel më të lartë atëherë marrëveshja prishet”, tha ai, transmeton Anadolu Agency (AA).

Le Drian në një transmetim të drejtpërdrejtë në radion Europe 1 foli në lidhje me Iranin dhe Izraelin.

Në lidhje me pyetjen për vendimin e qeverisë së Iranit për rifillimin e aktiviteteve bërthamore, Le Drian tha se “Është e rrezikshme të kontaktosh me vijat e kuqe. Sot iniciativa e Iranit për pasurimin e uraniumit është plotësisht në kuadër të marrëveshjes së Vjenës. Vendimi i shpallur dje nuk është në kundërshtim me marrëveshjen. Nëse kalohet në një nivel më të lartë atëherë marrëveshja prishet”.

Në qoftë se marrëveshja prishet, sipas Le Drian, evropianët nuk do të qëndrojnë të qetë dhe se në këtë rast në rend të ditës do të vijnë sanksionet e reja.

“Ne duam që ta mbrojmë marrëveshjen. Po punojmë me Iranin në këtë drejtim. Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (ANEA) po i vazhdon kontrollet. Irani po i respekton plotësisht angazhimet”, thotë Le Drian.

Në anën tjetër ministri francez thotë se përpjekjet për çështjen e Sirisë nuk po kontribuojnë në përparim dhe se çështja është biseduar edhe dje gjatë takimit të kryeministrit të Izraelit Binyamin Netanyahu dhe të presidentit të Francës Emmanuel Macron.

“Kemi një lidhje të madhe me Izraelin. Netanyahu ka ardhur për herë të tretë për vizitë. (Izraeli) Është një demokraci e madhe”, tha ai.