Franca dhe BE do të tërheqin trupat nga Mali, por mbeten në rajon

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron tha se vendi i tij do të tërheqë trupat nga Mali, por do të ketë një prani ushtarake në vendet fqinje të Afrikës Perëndimore, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke njoftuar vendimin gjatë një konference për media sot në Paris, Macron tha: “Nuk mund të mbetemi të përfshirë ushtarakisht” përkrah autoriteteve kalimtare të Malit me të cilët “ne nuk ndajmë strategjinë dhe qëllimet”.

Franca ka rreth 4.300 trupa në rajonin e Sahelit, përfshirë 2.400 në Mali. Forcat e ashtuquajtura Barkhane janë gjithashtu të përfshira në Çad, Niger, Burkina Faso dhe Mauritani.

Udhëheqësit evropianë njoftuan njëkohësisht sot se trupat e Task-forcës ushtarake të udhëhequr nga evropianët e njohur si Takuba do të tërhiqen nga Mali. Task-forca Takuba përbëhet nga disa qindra trupa të forcave speciale nga dhjetëra vende evropiane, përfshirë Francën.

Tensionet janë rritur midis Malit, fqinjëve të saj afrikanë dhe Bashkimit Evropian, veçanërisht pasi qeveria tranzitore e vendit të Afrikës Perëndimore lejoi mercenarët rusë të vendosen në territorin e saj.

Forcat franceze kanë qenë aktive që nga viti 2013 në Mali, ku ndërhynë për të larguar nga pushteti qeverinë e asaj kohe. Por, kryengritësit u rigrupuan në shkretëtirë dhe filluan të sulmojnë ushtrinë maliane dhe aleatët e saj.

Macron tha se mbështetja për civilët në Mali do të vazhdojë, por ai fajësoi juntën që tani sundon vendin për vendimin e saj për angazhimin e kontraktuesit privat ushtarak rus të njohur si Grupi Wagner që BE-ja e akuzon për nxitje të dhunës dhe kryerjen e abuzimeve të të drejtave të njeriut në Afrikë.

Macron tha se një koalicion aleatësh do të mbetet i pranishëm në Sahel dhe Gjirin e Guinesë. /aa