Ministri i Punëve të Jashtme i Francës, Jean-Noel Barrot, u ka bërë thirrje autoriteteve izraelite të respektojnë të drejtën ndërkombëtare dhe të braktisin atë që ai e quajti “luftëra të pafundme” në rajon, transmeton Anadolu.
Duke folur në parlament, Barrot tha se është qeveria në Tel Aviv ajo që duhet të ndryshojë politikën e saj, duke rikonfirmuar një propozim për rishqyrtimin e Marrëveshjes së Asociimit midis Bashkimit Evropian (BE) dhe Izraelit, i cili ende është në shqyrtim.
Duke kritikuar sulmet izraelite të 8 prillit në Liban që vranë më shumë se 300 persona, shefi i diplomacisë franceze paralajmëroi për rrezikun e një pushtimi të zgjatur të vendit.
Që nga 2 marsi, Izraeli ka vrarë të paktën 2.124 persona dhe ka plagosur gati 7 mijë në një ofensivë vdekjeprurëse në Liban.
Që nga konflikti i mëparshëm midis tetorit të vitit 2023 dhe nëntorit të vitit pasues, Izraeli mban të pushtuara zona në Libanin jugor, disa prej dekadash.
Për situatën në Gaza, Barrot dënoi mungesën e ndihmës humanitare, e cila “nuk po hyn mjaftueshëm dhe nuk po arrin te popullsia e Gazës dhe palestinezët që kanë nevojë të dëshpëruar për të”.
Barrot gjithashtu reagoi ndaj bllokadës financiare “të papranueshme” të Izraelit në territorin e pushtuar palestinez dhe dënoi “përshpejtimin e aktivitetit të paligjshëm të vendbanimeve” dhe “rritjen e dhunës së kryer nga kolonët ekstremistë me pandëshkueshmëri të plotë”.
Ai shtoi se një paketë e tretë sanksionesh që synon “kolonët ekstremistë dhe të dhunshëm” në nivel të BE-së është aktualisht “në tryezë”.
Sipas të dhënave palestineze, që nga fillimi i luftës në Gaza në tetor të vitit 2023, sulmet nga ushtria izraelite dhe kolonët në Bregun Perëndimor kanë vrarë të paktën 1.133 palestinezë, kanë plagosur rreth 11.700 të tjerë dhe kanë çuar në gati 22 mijë arrestime.
Në një opinion historik në korrik të vitit 2024, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shpalli të paligjshëm pushtimin e territorit palestinez nga Izraeli dhe bëri thirrje për evakuimin e të gjitha vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.


