Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Franca konfirmon praninë e personelit të saj ushtarak në Ukrainë

Franca konfirmon praninë e personelit të saj ushtarak në Ukrainë

Franca mbështet praninë e personelit të saj ushtarak në Ukrainë, ku ai kryen misione për trajnimin e forcave ukrainase dhe mirëmbajtjen e pajisjeve ushtarake, deklaroi sot ministri i Jashtëm, Jean-Noel Barrot, transmeton Anadolu.

“Po, ka personel francez në Ukrainë dhe ne e mbështesim këtë prani. Asgjë nuk është mbajtur e fshehtë”, tha Barrot në një intervistë për radion franceze RTL, duke shtuar se kjo çështje është diskutuar në disa raste.

Ai bëri të ditur se një pjesë e personelit është e vendosur në Ambasadën e Francës në Kiev.

Deklarata e Barrotit vjen pasi ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov akuzoi Francën për përfshirje të drejtpërdrejtë në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës, duke thënë se prania e personelit ushtarak francez në Ukrainë përbën përfshirje të drejtpërdrejtë në konflikt.

Franca i ka hedhur poshtë këto akuza. Barrot tha se personeli francez i dërguar në Ukrainë përbëhet vetëm nga instruktorë dhe specialistë të mirëmbajtjes së pajisjeve ushtarake, aktivitetet e të cilëve zhvillohen larg vijës së frontit dhe nuk përbëjnë përfshirje të drejtpërdrejtë ushtarake në konflikt.

– Takimi në Kinë

Duke komentuar takimin e pritshëm në Kinë mes presidentit kinez Xi Jinping, presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit amerikan Donald Trump, Barrot tha se nuk pret që liderët të arrijnë ndonjë marrëveshje.

“Nuk jam i shqetësuar. Këta tre liderë nuk pajtohen për asgjë, prandaj nuk mund të bien dakord për asgjë”, tha ai.

Ai shtoi se liderët evropianë po zhvillojnë takim në Berlin për të përgatitur hapat drejt paqes në Ukrainë.