Franca ngutet për t’u vaksinuar

Rreth një milion persona kanë bërë termine për vaksinim kundër koronavirusit brenda një dite në Francë, pasi presidenti Emmnual Macron ka rritur presionin ndaj secilit për t’u vaksinuar dhe për të ruajtur pushimet verore, si dhe ekonominë e shtetit.

Një aplikacion që analizon terminet për vaksinim, bashkë me termine tjera, Doctolib, ka njoftuar të martën në mëngjes se një ditë më parë, 926,000 persona kanë bërë termine për vaksinim, njëherësh rekord ditor, prej nisjes së procesit të imunizimit në dhjetor të vitit të kaluar.

Personat nën moshën 35-vjeçare kanë bërë 65 për qind të termineve.

Macron ka thënë të hënën se vaksinimi do të jetë obligativ për të gjithë punëtorët shëndetësorë nga 15 shtatori.

Teksa numri i të infektuarve rritet sërish në Francë, ka pasur pritje që Macron do të bëjë ndonjë kërkesë për vaksinim, me qëllim të rritjes së numrit të termineve.

Rreth 41 për qind e popullsisë franceze është vaksinuar plotësisht, ndonëse procesi i imunizimit është ngadalësuar teksa kanë nisur pushimet verore.

Ministri i Shëndetësisë, Olivier Veran, ka mirëpritur interesimin e rikthyer në vaksina, duke i thënë televizonit BFM se “mijëra jetë po shpëtohen”.

Më shumë se 111,000 persona me koronavirus tashmë kanë vdekur në Francë. /rel