Franca paralajmëron Izraelin për “aparteid” kundër popullsisë arabe

Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Yves Le Drian paralajmëroi Izraelin për zbatimin e regjimit të “aparteidit” kundër popullsisë arabe, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një program televiziv, Le Drian rikujtoi ngjarjet e Izraelit në qytetin Lod dhe tha se në tensionet mes Izraelit edhe Palestinës për herë të parë janë shfaqur konflikte mes komuniteteve që jetojnë në qytetet izraelite.

“Kjo tregon se do të ketë elemente afatgjata të aparteidit, nëse në të ardhmen miratohen edhe zgjidhje të tjera përveç zgjidhjes me dy shtete”, deklaroi Le Drian, i cili tha më tej se rreziku për aparteid është i lartë nëse Izraeli vazhdon të veprojë me mentalitetin e shtetit të vetëm ose duke mbrojtur “status quo”-në.

Ai shtoi se është e nevojshme të rigjallërohet procesi i paqes në Lindjen e Mesme dhe se kjo duhet të fillohet me hapa të vegjël dhe të ndërtohet besimi mes palëve.

Në një kryeartikull të publikuar dje në gazetën “Le Monde”, është theksuar se presioni që Izraeli zbaton në Palestinë e bën situatën edhe më të favorshme për emërtimin e saj si aparteid.

Një kolon i armatosur hebre banues në qytetin Lod në juglindje të kryeqytetit Tel Aviv plagosi 2 palestinezë ku si pasojë njëri prej tyre humbi jetën.

Ndërsa popullsia arabe në qytet zhvilloi protesta në mbështetje të Kudsit dhe Xhamisë Al-Aksa. Policia izraelite arrestoi një numër të madh të palestinezëve pjesëmarrës në protesta si dhe në operacionet që zhvilloi në shumë qytete të tjera.