Pas një takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, presidenti francez Emmanuel Macron premtoi sot se do të vazhdojë punën për garanci sigurie për Ukrainën duke filluar nga janari në Paris, transmeton Anadolu.
“U takova me Mark Rutten për të rishikuar situatën në Ukrainë dhe përparimin e punës brenda kornizës së Koalicionit të të Vullnetshmive. Duke filluar nga janari në Paris, ne do t’i vazhdojmë këto përpjekje me synimin për t’i siguruar Ukrainës garanci të forta sigurie, të cilat janë kusht thelbësor për arritjen e një paqeje të qëndrueshme dhe të fortë”, shkroi Macron në rrjetin social amerikan X.
Ai theksoi se Ukraina mund të mbështetet te partnerët e saj evropianë “tash dhe në të ardhmen”.
Deklaratat e presidentit francez erdhën pas prezantimit të një plani paqeje 20-pikësh nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy për të përfunduar luftën me Rusinë, duke përfshirë anëtarësimin në BE dhe garanci sigurie për Kievin të ngjashme me Nenin 5 të NATO-s.
Zelenskyy dha detaje mbi dokumentin e rishikuar që u diskutua midis Ukrainës dhe SHBA-së gjatë fundjavës në shtetin e Floridës, duke thënë se është një kornizë që pasqyron kryesisht qëndrimin e përbashkët të Kievit dhe Washingtonit, megjithëse disa çështje ende duhen adresuar.



