FSK hap dyert – liderët e shtetit dhe qytetarët shohin nga afër punën dhe armatimin e ushtrisë

Në kazermën “Adem Jashari”, dyert sot janë hapur për të gjithë qytetarët të cilët duan të shohin nga afër Ushtrinë e Kosovës.

Në “Ditën e Forcës” presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kryekuvendari, Dimal Basha dhe ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci vizituan kazermën duke parë nga afër pajisjet ushtarake të FSK-së.

“Dita e Forcës”, Maqedonci: FSK është e ndërtuar mbi themele gjaku e sakrifice të shumë brezave

Mes tjerash edhe fëmijët të cilët kishin mundësi të vizitonin kazermën me brohoritje përqafuan dhe shkëmbyen fotografi me liderët e vendit.

Ndërkaq, në “Ditën e Forcës” tradicionalisht ushtria pret qytetarët e saj.

Ndryshe, më 14 dhjetor të 2018-së, Kuvendi i Kosovës pati miratuar tri ligjet me të cilat mundësohet transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës, pra, Ligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, atë për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ligjin për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Pas këtij vendimi, po në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë ishte mbajtur një ceremoni ku është prezantuar Forca e Sigurisë së Kosovës. Në atë kohë, president i Kosovës ishte Hashim Thaçi, kryeministër Ramush Haradinaj dhe kryetar i Kuvendit, Kadri Veseli.