FSK-ja shënoi “Ditën e Forcës ” në të gjitha kazermat e saj

Me rastin e shënimit të “Ditës së Forcës”, (27 nëntor) FSK-ja, sot hapi të gjitha dyert e kazermave për vizitorë, ku morën pjesë nxënës, qytetarë, deputetë, personalitete ushtarake dhe politike të Kosovës, si dhe përfaqësues diplomatik të akredituar në Republikën e Kosovës.

Manifestimi qendror u mbajt në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, ku ministri Demolli, me këtë rast, pasi ua uroi festën të gjithë ushtarëve, nënoficerëve dhe oficerëve, para mediave, pos tjerash tha se: “FSK-ja është e të gjithëve dhe FSK-ja punon për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ne si Ministri e FSK-së, kemi vendosur që ditën e FSK-së ta festojmë së bashku me qytetarët e Kosovës.

Andaj kemi hapur dyert e të gjitha kazermave tona, në mënyrë që të vijnë të na vizitojnë të rinjtë, fëmijët, të rriturit, madhoret, të gjitha grup moshat e qytetarëve të Kosovës, në mënyrë që prej së afërmi t’i shohin disa prej kapaciteteve tona, t’i shohin personelin tonë dhe t’i shohin disa aktivitete tona të cilat i kemi përgatitë enkas për qytetarët e Kosovës.

Ne kemi bërë hapjen e dyerve tona për qytetarët tonë, në vitin kur FSK-ja ka realizuar një varg suksesesh sikurse në rrafshin vendor dhe në atë ndërkombëtar. Tani më FSK është e gatshme për tu transformuar në Forcë të armatosur të Kosovës. E vetmja gjë që presim , ne si Ministri është vendimmarrja politike në Kuvendin e Kosovës” tha në fund ministri Demolli.

Po, sot, për nder të Ditës së Forcës, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama së bashku me ambasadorin e SHBA-ve, z. Greg Delawie vizituan kazermën e FSK-së, “New Born” në Gjilan, me ç ‘rast panë nga afër disa prej demonstrimeve, pajisjeve dhe aktiviteteve të Batalionit të Parë të Reagimit të Shpejtë si dhe u pritën nga komandanti i Batalionit të Parë të BRSH-së, nënkolonel Haki Xhemajli.

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, duke falënderuar ambasadorin Delawie për vizitën në FSK, me këtë rast, se tha FSK-ja, po shënon Ditën e saj së bashku me qytetarët, sepse është në shërbim të tyre dhe të institucioneve të vendit në përgjithësi.

Gjeneral Rama, gjithashtu tha se, FSK-ja dhe pjesëtarët e saj për gjatë gjithë vitit, kanë treguar disiplinë, profesionalizëm dhe motivim të lartë, si dhe kanë treguar suksese në të gjitha aktivitetet dhe operacionet brenda vendit e gjithashtu edhe në bashkëpunim në ushtrime të përbashkëta me ushtritë e vendeve partnere.
Në fund, gjeneral Rama tha se: FSK-ja synon të jetë forcë fleksibile dhe e ndërvepruese me partnerët tanë, dhe gjithsesi të jemi edhe prodhues të sigurisë.

Nga ana e tij, ambasadori i SHBA-ve, Greg Delawie pasi uroi Komandantin e FSK-së dhe FSK-në për festën, ka kënaqësinë që ndodhet në kazermën e FSK-së për të kremtuar bashkërisht këtë ditë të rëndësishme për FSK-në dhe Kosovën. Ai tha se ,,FSK-ja e themeluar në vitin 2009, ka fituar reputacionin e vet tek qytetarët e vendit duke qenë institucioni më i besueshëm dhe më i respektueshëm i Kosovës’’.

Ambasadori Delawie në vazhdim numëroi disa prej sukseseve më të mëdha të FSK-së, si: Hapja e Qendrës trajnuese për Kërkim Shpëtim, Medalja e artë në Britani të Madhe, pastaj shkollimi i oficerëve nga radhët e komuniteteve i cili është tregues se Forca po shfaq diversitetin e saj dhe shtoi: ,,Veçanërisht më inkurajon përparimi në këtë fushë, sepse e di që është thelbësor, FSK-ja do të jetë më së miri vetëm nëse tërheq talentet nga të gjitha segmentet e shoqërisë kosovare’’.

Në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, me rastin e 27 Nëntor ,,Ditës së Forcës” ishin të pranishëm edhe zëvendës ministri Muhamet Latifi, sekretari i Përgjithshëm Shkëlzen Sylaj, gjeneralët: Zymer Halimi, Nazmi Brahimaj, Gëzim Hazrolli si dhe oficerë të lartë të MFSK/ FSK-së, të KFOR-it, të NALT-it, etj.

Të gjitha Kazermat e FSK-së, si në Prishtinë, Mitrovicë, Istog, Gjilan, Prizren, Ferizaj dhe Pomozotin, kanë qenë të hapura për vizitorë, me moton “Dita e Forcës-Ditë e Hapur”.

3. Manifestimi i Ditës së Forcës 25.11.2016