Iku pa vullnetin e saj si fëmijë në Siri, kthehet pas 12 vitesh në Shqipëri
Ka marrë fund odiseja e një prej emrave më të përfolur të sagës së shqiptarëve në Siri, ajo e Eva Dumanit, shkuar si fëmijë në 2014-ën në vendin nën luftë civile, marrë nga i ati, si e gjithë familja, prej një naiviteti njerëzor në kohë emocionesh te forta fetare. Ai humbi jetën atje, ndërsa fëmijët që la pas përfunduan në kampe famëkeqe kurdësh në veri të Sirisë. Dhe pas 12 vitesh, Eva është kthyer në atdheun e saj, në Shqipëri, nga Turqia ku kishte kaluar ilegalisht.
Gazetari Mero Baze ia atribon këtë biznesmenit vlonjat Sinan Idrizi, i cili prej vitesh jeton mes Turqisë dhe Shqipërisë, duke e patur një pjesë të aktivitetit pikërisht në Turqi dhe duke qenë një person me influenca të forta në pushtetin e Ankarasë.
“Falë tij dhe shmangies së formaliteteve burokratike me autoritetet policore turke, ai arriti të bëjë atë që burokracia shtetërore po e komplikonte.
Sot në mëngjes, ende pa hapur sytë, në telefon më kishte mbërritur një mesazh prej tij.
‘Mirëmëngjes. Vajza është në Stamboll, vjen me Pegasus, kurse të tjerët vijnë në darkë me Turkish.’
Nuk dija si ta falënderoja në atë moment Sinan Idrizin që, në një hallkë të rëndësishme të këtij operacioni, kishte zëvendësuar praktikisht punën e shtetit shqiptar.
Ishte fundi i një ankthi që unë e kisha përjetuar si mik i dajës së Evës prej ditës së parë kur ajo u rrëmbye nga i jati.
Sot është në Tiranë në krahët e nënës së saj që ka 12 vite pa e takuar, duke shpërblyer kështu mundin 12-vjeçar të dajës së saj që nuk u dorëzua asnjëherë”, shkruan Mero Baze.
Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme shqiptare dha në këtë deklaratë për rastin:
“Në përgjigje të interesit të mediave, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, informon se falë koordinimit dhe bashkëveprimit midis disa institucioneve të shtetit shqiptar, përfshirë MEPJ përmes përfaqësisë diplomatike të vendit në Turqi, është realizuar me sukses operacioni për kthimin në Shqipëri të shtetases E.D, e cila gjendej prej disa vitesh në një kamp të Sirisë. Operacioni i shtrirë në kohë u mundësua me mbështetjen e partnerëve tanë, në veçanti me kontributin e autoriteteve turke të cilat i falenderojmë për bashkëpunimin në këtë rast sensitiv. MEPJ rikonfirmon gatishmërinë dhe vullnetin për t’ju përgjigjur në çdo rast, nevojave apo situatave që ndikojnë shtetasit shqiptarë kudo që ata ndodhen përtej kufijve”. /tesheshi







