Kush është Miguel Ángel Félix Gallardo, ai që themeloi kartelin e Guadalajarës dhe hodhi themelet e trafikut modern ndërkombëtar të drogës
Miguel Ángel Félix Gallardo, një nga figurat më të fuqishme të historisë së krimit të organizuar në Meksikë, ka vdekur në moshën 80-vjeçare.
Ai ishte themeluesi i kartelit të Guadalajarës, organizatës kriminale që gjatë viteve 1980 luajti rol vendimtar në ngritjen e rrjeteve moderne ndërkombëtare të trafikut të drogës.
Të premten, për shkak të komplikacioneve nga pneumonia, ai u dërgua me urgjencë nga burgu i sigurisë së lartë Puente Grande në një spital privat të Guadalajarës, kryeqytetit të shtetit meksikan Jalisco.
Megjithatë, ndërhyrja mjekësore nuk arriti t’i shpëtonte jetën. I njohur me nofkën “El Jefe de Jefes” (Shefi i shefave), Félix Gallardo ishte për dekada një prej kriminelëve më të njohur dhe me më shumë ndikim në Meksikë.
Ai u arrestua në vitin 1989 dhe u dënua me gjithsej 77 vjet burg, të cilat i kaloi në një regjim të rreptë sigurie. Félix Gallardo e themeloi kartelin e Guadalajarës në fillim të viteve 1980, së bashku me Ernesto Fonseca Carrillon dhe Rafael Caro Quinteron.
Fillimisht, organizata synonte të kontrollonte eksportin e heroinës dhe marijuanës drejt Shteteve të Bashkuara. Por lidhjet e forta që krijoi me organizatat kriminale kolumbiane, i mundësuan të zgjerohej me shpejtësi edhe në trafikun e kokainës.
Brenda pak vitesh, karteli i Guadalajarës u shndërrua në organizatën më të pasur dhe më të frikshme të narkotrafikut në Meksikë.
Gallardo njihet gjithashtu si njeriu që ndihmoi në ngjitjen në hierarkinë kriminale të Joaquín Guzmán Loerës, i njohur si “El Chapo”, i cili më vonë do të bëhej narkotrafikanti më i famshëm në botë.
Përpara se të ndërtonte perandorinë e tij kriminale, Guzmán kishte punuar si një nga njerëzit e besuar të Gallardos. Por emri i këtij të fundit lidhet veçanërisht me një prej krimeve më të bujshme në historinë e narkotrafikut meksikan.
Në vitin 1985, Gallardo urdhëroi rrëmbimin dhe vrasjen brutale të Enrique “Kiki” Camarenës, agjentit amerikan të Agjencisë Kundër Drogës (DEA), i cili po hetonte aktivitetet e kartelit nën mbulim.
Bashkë me të u vra edhe piloti meksikan Alfredo Zavala, i cili kishte fotografuar nga ajri disa plantacione marijuane të kontrolluara nga organizata kriminale.
Vrasjet, për të cilat Gallardo u dënua së bashku me Quinteron si organizatorë, shënuan një pikë kthese në luftën kundër narkotrafikut. Ato nxitën përfshirjen masive të Shteteve të Bashkuara në operacionet antidrogë në Meksikë.
Pas tyre, Uashingtoni nisi një fushatë të gjerë kundër karteleve, e cila në vitet pasuese u zgjerua dhe u militarizua gjithnjë e më shumë.
Fonseca Carrillo dhe Quintero u arrestuan që në mesin e vitit 1985, vetëm pak javë pas vrasjeve. Gallardos i erdhi radha katër vjet më vonë.
Në prill të vitit 1989, ai u arrestua në vilën luksoze ku banonte në Guadalajara. Bashkë me të u prangosën edhe tre vartës të tij dhe dy oficerë policie, të dyshuar se i siguronin mbrojtje. Operacioni u krye me një shpejtësi të pazakontë. Gjithçka përfundoi brenda pesë minutash, pa pasur nevojë të përdorej armë.
Pas arrestimit, Gallardo u përball me disa procese gjyqësore. Në gusht të vitit 2000, ai u dënua me 40 vjet burg për trafik droge, armëmbajtje pa leje dhe korrupsion. Në vitin 2017, iu shtuan edhe 37 vite të tjera burg për rrëmbimin dhe vrasjen e Camarenës dhe Zavalës.
Shëndeti i tij ishte përkeqësuar shumë prej vitesh. Ai lëvizte me karrige me rrota, kishte humbur shikimin në njërin sy dhe dëgjimin.
Katër vjet më parë kërkoi uljen e dënimit për arsye shëndetësore, por kërkesa iu refuzua. Më vonë, një gjykatës i dha të drejtën të vuante pjesën e mbetur të dënimit në arrest shtëpie, por vendimi nuk u zbatua kurrë.
Gjatë gjithë viteve të burgimit, Gallardo kishte shmangur daljet publike dhe kishte dhënë shumë pak informacion për jetën e tij. Intervistën e parë e dha vetëm në vitin 2021, kur mohoi çdo përfshirje në vrasjen e Camarenës dhe çdo lidhje me trafikun e drogës.
“Në Guadalajara s’ka pasur kurrë kartele. Që kur isha i ri, jam marrë me bujqësi dhe blegtori. Kisha gjithashtu disa farmaci dhe dy hotele të vjetra”, deklaroi ai.
Ndërkohë, vitin e kaluar, qeveria meksikane ekstradoi në Shtetet e Bashkuara Rafael Caro Quinteron, ish-bashkëpunëtorin e Gallardos, së bashku me 28 kriminelë të tjerë të kërkuar për vepra të rënda, nga vrasjet deri te trafiku ndërkombëtar i drogës.
Ishte ekstradimi më i madh i narkotrafikantëve nga Meksika drejt SHBA-së. Kështu u mbyll jeta e një njeriu që dikur kontrollonte një perandori kriminale dhe ushtronte ndikim të jashtëzakonshëm mbi botën e narkotrafikut.
Nga vilat luksoze dhe pushteti mbi kartelet, deri te dekadat në burg, sëmundja dhe vetmia, fundi i “Shefit të shefave” nuk kishte asgjë nga lavdia që dikur i atribuonte vetes. /tesheshi








