Futbolli evropian me vëmendje në Mançester e Torino: Dy super-derbi luhen sonte

Përveç derbit të Superligës së Kosovës ndërmjet Dritës dhe Prishtinës, sonte luhen edhe dy super-derbi në futbollin evropian.

Vëmendja e adhuresve të futbollit do të shkojë në qytetin e Mançesterit në Angli dhe në Torino të Italisë.

‘Old Trafford’ do të jetë arena ku do të jepet spektakli mes Manchester United dhe Manchester City. Derbi lokal do të ketë rëndësi të madhe për United që është në ndjekje të një pozite për Ligën e Kampionëve, kurse City qëndron më solid në tabelë, shkruan lajmi.net.

Ndeshja mes dy skuadrave të Mançesterit luhet me fillim nga ora 17:30.

Në anën tjetër, në Italinë e tmerruar nga Coronavirusi, në Torino, luhet ‘Derby d’Italia’ ndërmjet Juventus dhe Inter.

Ndeshja më interesante në futbollin italian do të jetë nën hijen e Coronavirusit, që tashmë ka bërë që çerek-populli i Italisë të shkojnë në izolim.

E planifikuar të luhet me fillim nga ora 20:45, ndeshja mes Juventus dhe Inter do të luhet pa praninë e tifozëve në stadium.

Në Mançester spektaklit mund t’i ndihmojnë edhe tifozët, kurse në Torino, Ronaldo e Lukaku me shokët tentojnë të relaksojnë adhuruesit e futbollit në një stadium bosh, ashtu siç nuk jemi mësuar ta shohim më herët.