Fytyra dhe pafytyrësia

Nuredin Nazarko

Në histori do të hyjnë të gjithë, por disa do të hyjnë ballëlartë e me ndërgjegje të qeta, e disa do të hyjnë të përçudnuar e me fytyra të shtrembëruara nga makthet e ligësisë që u endet ndër deje e që u shpërthen në çdo pore.

Nuredin NAZARKO, Korçë

Historia njerëzore ka parë shumë ujëra të rrjedhin. Lumenj të thahen. Gjallesa të zhduken. Bimë të zhuriten. Toka të përpihen nga gërryerja dhe tjetërsimi. Qytetërime të humbin nëpër shtjellat e kohës. Perandorë, mbretër, faraonë, kalifë, sulltanë që mendonin se nuk do të binin kurrë nga froni e do të sundonin përjetësisht. Qenie njerëzore që mendonin se asgjë veç kohës nuk i shkatërron dhe jetonin të zhytur në dehjen e pasioneve që burojnë nga stomaku. Popuj që besonin se ishin raca më superiore dhe nga kjo iu lindte e drejta të shtypnin dhe skllavëronin popujt që i cilësonin inferiorë. Sisteme politike me udhëheqës të çnjerëzuar që i shikonin njerëzit nga prizmi i numrave dhe statistikave në funksion të çmendurisë së tyre paranojake. Qenie të çnjerëzuara që nën ndikimin e narkozës së pushtetit kalonin në ekstazë nga vuajtjet e viktimave të tyre. Sot nuk u gjendet as nami e as nishani, por fryma e ideve të tyre djallëzore endet tek të tjera qenie të çnjerëzuara që në kushte dhe rrethana të tjera qeverisin dhe sërish veprojnë në funksion të të njëjtave qëllime si baballarët ideologjikë.

Gjithmonë ka pasur antipodë të këtyre krijesave, që me mish e me shpirt janë përpjekur ta njerëzojnë njeriun dhe bashkë me të edhe shoqërinë. Ta mësojnë njeriun se jeta është e bukur dhe e shenjtë dhe nuk duhet çuar mish për top për çmenduritë paranojake të disa individëve veshur me tunikën e pushtetit. Përpjekjet dhe sakrificat e tyre për të drejtën dhe të mirën i ka shënuar historia, ashtu si edhe padrejtësinë e të poshtërve. Në histori do të hyjnë të gjithë, por disa do të hyjnë ballëlartë e me ndërgjegje të qeta, e disa do të hyjnë të përçudnuar e me fytyra të shtrembëruara nga makthet e ligësisë që u endet ndër deje e që u shpërthen në çdo pore.

Të përpiqesh të ruash fytyrën përgjatë jetës, ku të dallohen qartë shenjat e burrërisë, ndërgjegjes së qetë, fisnikërisë e mirësisë nuk është dhe aq e lehtë. Sikur të ishte e lehtë bota nuk do të kishte kaq shumë hipokrizi. Pse është e vështirë të kesh një fytyrë të vërtetët janë gjithmonë pak. Ata që nuk mund ta kenë një të tillë ose do të shtiren, ose do të maskohen. Jeta e tyre do të jetë një makth, sepse do t’iu duhet të jetojnë duke u sforcuar vazhdimisht për t’u dukur ndryshe nga ç’janë. Do t’u duhet që për aq kohë sa janë të dobët të sillen si viktima, ndërkohë që bashkë me ndryshimin e kushteve rritin në fshehtësi urrejtjen dhe agresivitetin. Kur piqen kushtet sipas gjykimit të tyre dhe kur e ndjejnë veten mjaftueshëm të fuqishëm, hedhin tutje maskën dhe shfaqen ashtu siç kanë qenë, idhnakë, finokër dhe të poshtër. Për ta njerëzorja është thjesht një instrument për të ngjallur mëshirën e tjetrit dhe për të përfituar sa më shumë nga zemrat e buta dhe të mëshirshme.

Kjo është një rrugë që mund ta ndjekin shumë syresh, e për fat nuk është e vetmja. Me njerëz që e kanë treguar vazhdimisht veten nuk ke pse bën habi që ecin kësaj rruge. Habia është me ata syresh që ende besojnë se njerëzit janë ashtu siç shfaqen, pasi kanë faktuar të kundërtën në rrugëtimin e historisë së qenies së tyre. Janë shembulli më i fortë se si nuk duhet të jesh e se si nuk duhet të përfundosh.

Rruga e njerëzores qëndron e hapur që në krye të herës ashtu si dhe rruga djallëzore. Janë njerëzit me zgjedhjet e tyre që iu japin jetë këtyre rrugëve. E teksa në rrugën njerëzore jeta jetohet si jetë, në atë djallëzore jeta nxin e sterron prej ligësisë dhe humbet çdo ngjyrë e aromë luleje. E vetmja aromë që ndihet në jetën e kësaj rruge është ajo e ziftit dhe kalbësirës. Prandaj dhe jeta e njeriut merr ngjyrën dhe aromën e ideve, ideologjive, besimeve që zgjedh njeriu të jetësojë.

A mund të shuajmë shpresat e atyre që enden në kërkim të një çare prej nga ku të hyjë drita e diellit dhe të themi që rruga e së mirës është e mbyllur? A mund të pohojmë me siguri të plotë fundin e secilit njeri edhe pse nuk kemi fuqi as mbi jetën tonë e jo më të zbulojmë përfundimin e tjetrit?

Dilema e njeriut mbetet: A mund të jetoj me fytyrë apo pafytyrësi jetën?

Gjithmonë ka një mundësi, ka një dritare, ka një portë prej së cilës mund të dalësh dhe të kthehesh tek njerëzorja. Këto mundësi mbyllen vetëm me vdekjen e njeriut, por sa më gjatë të rrojë një njeri më djallëzinë aq më vështirë i bëhet të gjejë brenda vetes njerinë. /revistashenja