G7 i bën thirrje Rusisë që t’i japë fund luftës në Ukrainë

Vendet e G7 i kanë bërë thirrje Rusisë që t’i japë fund luftës së saj kundër Ukrainës duke premtuar mbështetje të madhe për Kievin.

“Ne jemi të vendosur për të mbështetur Ukrainën në mbrojtjen e saj kundër agresionit të pajustifikuar, të paprovokuar dhe të paligjshëm të Rusisë, dhe përsërisim thirrjen tonë të vazhdueshme që Rusia t’i japë fund luftës dhe vuajtjeve dhe humbjeve të jetëve”, thuhet në deklaratën e vendeve të G7.

Franca, Kanadaja, Gjermania, Italia, Japonia, Britania e Madhe dhe SHBA-ja kanë dënuar luftën e Rusisë kundër Ukrainës, e cila sipas tyre ka shkaktuar një nga krizat më të këqija të ushqimit dhe energjisë në historinë e fundit.

“Ne jemi të vendosur të përshpejtojmë një përgjigje të koordinuar shumëpalëshe për të ruajtur sigurinë globale të ushqimit dhe të qëndrojmë pranë partnerëve tanë më të cenueshëm në këtë drejtim”, thuhet në deklaratë.

Ata theksuan rëndësinë e garantimit të sigurisë energjetike duke përshpejtuar tranzicionin energjetik, duke premtuar se do të promovojnë energjinë e pastër dhe do të investojnë më shumë në projektet e LNG-së për të reduktuar varësinë nga Rusia.

“Në këtë kontekst, ne e njohim rëndësinë e përshpejtimit të investimeve në projektet e zhvillimit, përfshirë projektet e LNG-së, dhe promovimin e përdorimit të energjisë së pastër për të reduktuar varësinë tonë nga energjia e Rusisë”, thuhet në deklaratë. /atsh