Fshati tej detit, gjoba deri në 200 euro për turistët që ecin me rroba banje ose pa bluzë jashtë plazhit
Autoritetet po vendosin gjoba deri në 200 euro në Varena, një fshat piktoresk në liqenin e Komos, duke i dhënë fund shfaqjes së turistëve me rroba banje ose pa bluzë jashtë plazhit, një fenomen që për fat të keq është bërë mëse i zakonshëm në rrugët e qyteteve bregdetare shqiptare.
Varena, e cila ka afërsisht 650 banorë të përhershëm, pret një valë gjithnjë e më të madhe vizitorësh çdo vit, gjë që e ka shtyrë autoritetin bashkiak të marrë masa, me qëllim ruajtjen e autenticitetit të fshatit dhe sigurimin e qetësisë së banorëve. Në këtë kontekst, qarkullimi pa bluzë ose pa rroba banje lejohet vetëm në plazhet e liqenit dhe në udhëtimet me varkë, ndërsa shkelësit do të përballen me gjoba nga 50 deri në 200 euro.
Në të njëjtën kohë, grupet e organizuara janë të kufizuara në 25 persona, për të shmangur mbipopullimin në rrugët e ngushta me kalldrëm të fshatit, ndërsa përdorimi i altoparlantëve nga guidat turistike është ndaluar gjithashtu.
“Varena është një fshat i mrekullueshëm dhe ne jemi krenarë që mirëpresim qindra mijëra vizitorë nga e gjithë bota çdo vit”, tha kryebashkiaku Mauro Manzoni, duke shtuar: “Megjithatë, cilësia e jetës së banorëve tanë nuk mund të sakrifikohet në altarin e turizmit masiv.”
Sipas Guardian, masat kanë qenë në fuqi prej disa ditësh dhe duket se janë pranuar nga banorët, veçanërisht kodi i veshjes.
“Në plazh mund të bësh çfarë të duash, por kur ecën nëpër fshat dhe hyn në dyqane, restorante, kisha ose shesh, duhet të jesh i veshur mirë”, tha një pronar dyqani për rrjetin televiziv TGCom24 të Mediaset.
Një tjetër komentoi: “Është koha, është masa e duhur. Gjëja e rëndësishme tani është të sigurohet zbatimi i saj.”
Vërehet se shumë fshatra dhe qytete në Itali kanë marrë masa të ngjashme në përpjekjen e tyre për të menaxhuar pasojat e mbiturizmit.
Në vitin 2022, kryetari i atëhershëm i bashkisë së Sorrentos vendosi gjoba të rënda për ata që ecnin me rroba banje ose pa bluzë në qendër të qytetit, duke përmendur sjellje që dëmtonin imazhin e tij. Në mënyrë të ngjashme, në Portofinon kozmopolit në Liguria, autoritetet ndaluan selfiet në vende të caktuara në vitin 2023 dhe krijuan zona ku turistët nuk lejohen të qëndrojnë gjatë në këmbë, me qëllim që të zvogëlojnë mbipopullimin. /tesheshi





