Gaza, përkundër kërcënimit izraelit ka nisur grumbullimi i palestinezëve

Ka filluar grumbullimi i palestinezëve në demonstratën masive të quajtur “Marshimi i Kthimit të Madh” në kufirin e Rripit të Gazës dhe Izraelit, raporton Anadolu Agency (AA).

Pavarësisht kërcënimeve izraelite, palestinezët kanë vazhduar demonstratat paqësore përmes të cilave duan të tregojnë se me çfarë probleme ballafaqohen. Palestinezët do të falin namazin e xhumasë në afërsi të kufirit, pas së cilës do të fillojë demonstrata masive.

Mijëra palestinezë në kufirin e Rripit të Gazës, të premten e pestë me radhë protestojnë në mënyrë paqësore dhe shënojnë Ditën e Tokës duke përkujtuar 30 marsin e vitit 1976, kur Izraeli konfiskoi nga ata mijëra hektarë tokë.

Gjatë protestave deri tani janë vrarë 39 palestinezë dhe janë plagosur më shumë se 3.500 të tjerë. Është planifikuar që protestat të vazhdojnë deri në mes të majit.

Dita e Tokës shënohet në Palestinë që nga viti 1976 dhe kjo është, në një mënyrë, simbol i rezistencës së palestinezëve për të marrë përsëri tokën e tyre, dhe njëkohësisht të tregojnë përgjegjësinë e komunitetit ndërkombëtar për mbrojtjen e të drejtave të popullit palestinez, krijimin e një shteti të pavarur palestinez dhe kthimin e refugjatëve palestinezë në vend.