Të paktën gjashtë persona u vranë dhe disa të tjerë u plagosën në sulmet gjatë natës në Rusi dhe Ukrainë, ndërsa të dyja palët shkëmbyen sulme me rreze të gjatë dhe publikuan të dhëna për dëmet e shkaktuara ndaj palës tjetër, transmeton Anadolu.
Në Rusi, një person u vra dhe tre të tjerë u plagosën, përfshirë një fëmijë, në një sulm me dron ukrainas ndaj rafinerisë së naftës në Syzran, në rajonin Samara, tha guvernatori rajonal Vyacheslav Fedorishchev.
Në një incident tjetër, autoritetet në rajonin Belgorod njoftuan se një djalë 13-vjeçar, i cili ishte plagosur rëndë në një sulm me dron ukrainas në qytetin Grayvoron, ndërroi jetë në spital pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta shpëtuar.
Ndërkohë, autoritetet ukrainase thanë se tre persona u vranë në sulmet ruse gjatë natës në rajonin Dnipropetrovsk.
Një tjetër civil u vra dhe dy të tjerë u plagosën në qytetin Kherson, sipas zyrtarëve lokalë.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes së Rusisë tha në një deklaratë se forcat e saj të armatosura kryen gjatë natës sulme të përbashkëta me armë precize me rreze të gjatë të lëshuara nga ajri dhe dronë sulmues.
Sipas ministrisë, sulmet shënjestruan infrastrukturën portuale në Odesa dhe Chornomorsk, në rajonin e Odesës, e cila përdorej për shkarkimin dhe ruajtjen e ngarkesave ushtarake dhe karburanteve, si dhe anijet që transportonin këto furnizime drejt porteve ukrainase.
Ministria ruse tha se sulmet goditën objekte për trajtimin dhe ruajtjen e ngarkesave ushtarake, qendrën logjistike të kompanisë së transportit Odtrans në Portin e Odesës, si dhe terminalet e ngarkesave dhe rezervuarët e karburantit në Portin e Chornomorskut.
Ajo shtoi se në Chornomorsk u goditën edhe dy anije transporti mallrash, një traget që dërgonte furnizime për ushtrinë ukrainase dhe një anije patrullimi që siguronte mbrojtjen.
Nga ana tjetër, Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha se forcat ukrainase goditën rafinerinë e naftës në Syzran, në rajonin Samara të Rusisë, dhjetë cisterna dhe katër tragete në Detin Azov, si dhe një tren me karburant.
Shtabi i Përgjithshëm ukrainas tha gjithashtu se arriti të godiste një njësi të përpunimit të naftës në kompleksin Ust-Luga të kompanisë NOVATEK.
Pretendimet e Rusisë dhe Ukrainës nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur për shkak të luftës.







