Disa punonjës në Karolinën e Jugut ku dikur prodhoheshin pjesë kryesore për bombat nukleare në SHBA, kanë zbuluar një fole radioaktive grerëzash, por autoritetet kanë thënë se nuk përbën rrezik.
Punonjësit që kontrollojnë vazhdimisht nivelet e rrezatimit në Savannah River Site pranë Aiken, gjetën një fole grerëzash më 3 korrik në një vend pranë tankeve ku ruhen mbetjet e lëngshme nukleare, thuhet në një raport të Departamentit të Energjisë.
Foleja kishte nivel rrezatimi 10 herë më të lartë nga norma e lejuar. Punonjësit e spërkatën folenë me vrasës insektesh, e hoqën dhe e asgjësuan si mbetje radioaktive. Nuk u gjetën grerëza.
Raporti thotë se nuk kishte rrjedhjet nga tanket e mbetjeve dhe me gjasë, foleja ishte radioaktive nga mbetjet që kanë qenë aty nga koha kur struktura funksiononte plotësisht.
Grupi i sinjalizuesve, Savannah River Site Watch, tha se raporti ishte i paplotë pasi nuk përshkruan nga ka ardhur kontaminimi, si mund ta kenë gjetur grerëzat dhe nëse ka gjasa për një fole tjetër radioaktive në rast se ka ndonjë rrjedhje.
Njohja e llojit të folesë së grerëzave mund të jetë e rëndësishme sepse disa grerëza e ngrenë folenë nga pisllëku ndërsa të tjera me materiale të ndryshme dhe kjo mund të tregojë se nga erdhi kontaminimi.
Ferma e tankeve është brenda zonës dhe zakonisht grerëzat fluturojnë vetëm disa qindra metra larg foleve, ndaj nuk ka rrezik që të jenë jashtë perimetrit, thuhet në një deklaratë të Savannah River Mission Completion. Nëse do të ishin gjetur grerëza, ato do të kishin nivele më të ulëta rrezatimi sesa foletë.








