Ballina Artikuj Gjenocidi përmes urisë në Gaza

Gjenocidi përmes urisë në Gaza

Prof.Dr. Rrahman Ferizi

Gjenocidi përmes urisë, që aktualisht po ndodh në Gaza, është një nga format më serioze dhe të fshehta të gjenocidit. Përveçse është një emergjencë humanitare, privimi sistematik nga ushqimi është një metodë e qëllimshme shfarosjeje që tenton të shkatërrojë dhe shfarosë fizikisht dhe mendërisht njerëzit. Uria ekstreme ka efekte serioze negative sidomos tek fëmijët, duke përfshirë rritje të ngadaltë, anomali zhvillimore dhe dëmtime biologjike të pakthyeshme. Ajo gjithashtu dëmton mëlçinë, traktin tretës dhe zvogëlon funksionin e trurit dhe zemrës.

Pasojat psikologjike

Efektet psikologjike janë po aq shkatërruese se sa dëmet biologjike. Trauma kolektive, ankthi i vazhdueshëm, depresioni dhe ndjenja e zvogëluar e sigurisë sociale përfshijnë çdo individ dhe shoqëri të prekur. Këto plagë të padukshme mbeten të gdhendura në kujtesën kolektive, duke i bërë pasojat e urisë të përjetshme në jetën e përditshme.

Një plagë e pa-shëruar për brezat e ardhshëm

Në planin afatgjatë, komunitetet e prekura përjetojnë një spirale privimi biologjik, emocional dhe social. Brezave të tërë u mohohet mundësia për zhvillim të shëndetshëm mendor dhe fizik. Truri dhe kujtimet e ketyre fëmijëve do të mbeten të plagosura për dekada nga ky akt i shëmtuar i shkeljes së dinjitetit njerëzor, duke u bërë dëshmi e një padrejtësie që shkon përtej kufijve të kohës.

Një mesazh shprese

Historia njerëzore ka treguar se shpresa dhe uniteti kanë mbijetuar edhe në kohërat më të vështira, pavarësisht plagëve të thella që gjenocidi permes urisë i shkakton trupit dhe shpirtit. Një e ardhme më e drejtë mund të ndërtohet mbi themelet e reagimit ndërkombëtar, ndërgjegjësimit global dhe qëndrueshmërisë së komuniteteve të prekura. Përtej vuajtjeve, ka shpresë për shërim dhe çdo vepër njerëzore është një dritë shprese që largon errësirën e dhunës dhe urisë. Mundësitë e njerëzimit për të mbrojtur jetën dhe dinjitetin e këtyre kombeve, përballë këtij gjenocidi përmes urisë, mbeten ende shpresë në diellin e Lirisë, edhe përballë këtij kijameti tokësor.

Prof.Dr. Rrahman Ferizi