Në protestat të cilat vazhdojnë prej dy javësh në Gjeorgji pas vendimit të Qeverisë për të mos vendosur në rend dite fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian (BE) deri në fund të vitit 2028, mori pjesë edhe një delegacion i përbërë nga eurodeputetë që ndodheshin në vend për takime, raporton Anadolu.
Ashtu si në ditët tjera, mijëra qytetarë u mblodhën në kryeqytetin Tbilisi gjatë natës dhe kundërshtuan sërish vendimin e qeverisë. Ata kërkuan lirimin e protestuesve të arrestuar javën e parë të protestave.
Demonstruesit, të cilët mbyllën për trafik rrugën “Shota Rustaveli” para ndërtesës së Parlamentit, duartrokitën eurodeputetët që morën pjesë në protestë.
Eurodeputetët Reinier Van Lanschot, Mihal Szczerba, Tobias Kremer, Rasa Yukneviciane, Sergey Lagodinsky, për një kohë biseduan me demonstruesit, ndërkaq protestuesit kërkuan nga eurodeputetët që të zbatojnë sanksione ndaj qeverisë së Tbilisit.
Eurodeputetja Yukneviciane përsëriti thirrjen ndaj qeverisë së Gjeorgjisë që t’i përsërisë zgjedhjet parlamentare. Ajo tha se protestuesit që dolën në rrugë po luftojnë për interesat e Gjeorgjisë ndërsa vendet e BE-së duhet të mbështesin popullin gjeorgjian.
Delegacioni i Parlamentit Evropian (PE) ishte takuar me presidenten e Gjeorgjisë, Salome Zourabichvili dhe liderët e opozitës në vend. Ndërkaq, partia në pushtet “Ëndrra Gjeorgjiane” kishte reaguar pasi eurodeputetët nuk u takuan me ta.
PE-ja bëri thirrje të mbahen sërish zgjedhje parlamentare në Gjeorgji më 26 tetor ndërsa opozita dhe aktivistët pro-evropianë dolën në rrugë dhe filluan të organizojnë demonstrata.
Kryeministri gjeorgjian, Irakli Kobakhidze në deklaratën e tij më 28 nëntor, tha se disa politikanë evropianë po ndërhyjnë në punët e brendshme të Gjeorgjisë dhe po shantazhojnë me paratë e BE-së.
“Duke marrë parasysh të gjitha këto, vendosëm që fillimin e negociatave me BE-në të mos e fusim në agjendë deri në fund të vitit 2028”, tha ai, duke shtuar se do të vazhdojnë punimet që vendi të bëhet anëtar deri në vitin 2030.





