Gjermani, gjykata dënon ish-oficerin e inteligjencës së regjimit të Assad-it

Gjykata e Lartë e Shtetit në Koblenz të Gjermanisë ka dënuar ish-oficerin e inteligjencës siriane, Eyad al-Gharib me 4.5 vite burg, për shkak se ka ndihmuar në kryerjen e krimeve kundër njerëzimit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në vendimin e gjykatës thuhet se ish-oficeri i inteligjencës së regjimit të Assad-it, Eyad al-Gharib ka dërguar të paktën 30 protestues të arrestuar në burgun ku kryheshin tortura.

Ai është dënuar me 4.5 vite burgim për shkak se ka ndihmuar në kryerjen e krimeve kundër njerëzimit.

Procedimi i parë penal në botë kundër anëtarëve të regjimit të Assad-it

Ndërkohë, do të vazhdojë edhe gjykimi i të pandehurit Anwar Raslan, i cili punon për inteligjencën siriane.

Raslan ka ardhur në vitin 2014 në Gjermani ndërsa Gharib në vitin 2018. Që të dy ishin kapur në vitin 2019 në Berlin.

Sipas aktakuzës, 57-vjeçari Raslan, përveç krimeve ndaj njerëzimit në vitet 2011 dhe 2012, akuzohet edhe për përdhunim dhe 58 vrasje.

Kryeprokuroria federale rastin gjyqësor e cilëson si “procedimi i parë penal në botë kundër anëtarëve të regjimit të Assad-it për krimet kundër njerëzimit”.