Gjermania dhe Franca po përgatiten për protesta të mundshme gjatë fundjavës, në një kohë kur në disa vende të Evropës janë përhapur demonstratat e udhëhequra kryesisht nga të rinjtë kundër rritjes së çmimeve dhe mungesës së perspektivës për të ardhmen.
Në Gjermani, rreth 150 mijë persona janë regjistruar për të marrë pjesë në protesta në rreth 30 qytete, përfshirë Berlinin, Frankfurtin dhe Këlnin.
Policia gjermane planifikon të angazhojë mijëra zyrtarë shtesë për të garantuar sigurinë. Ndërkohë, disa dyqane luksoze dhe biznese kanë mbuluar vitrinat e tyre nga frika e dëmtimeve dhe plaçkitjeve të mundshme.
Protestat në Gjermani organizohen nga një lëvizje e të rinjve e quajtur “GenZ regelt!”. Pjesëmarrësit kundërshtojnë koston e lartë të jetesës, gjendjen e dobët të shkollave, shkurtimet e shpenzimeve publike dhe vendimet politike që, sipas tyre, nuk marrin parasysh interesat e brezit të ri.
Franca përgatitet për një tjetër fundjavë protestash
Edhe Franca po përgatitet për protesta të reja, pas tri fundjavëve radhazi me demonstrata në qytete të ndryshme të vendit.
Në Paris dhe qytete të tjera, bizneset kanë filluar të mbulojnë vitrinat për t’u mbrojtur nga dëmtimet e mundshme.
Autoritetet franceze kanë njoftuar angazhimin e rreth 70 mijë policëve në mbarë vendin. Gjithashtu, më shumë se 40 stacione të metrosë në Paris do të mbyllen, ndërsa gjatë demonstratave do të ndalohet mbajtja e maskave që mbulojnë fytyrën.
Protestat në të dy vendet lidhen kryesisht me rritjen e çmimeve, problemet në arsim dhe shqetësimet e të rinjve për mungesën e mundësive dhe perspektivës për të ardhmen. /mesazhi







